Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar pas raportimeve për kushtet në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe pretendimeve për presion ndaj prindit të një pacienti, duke kërkuar hetim të pavarur dhe masa konkrete për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.
Përmes një reagimi publik, PRAK shprehu shqetësimin për raportimet lidhur me kushtet e qëndrimit dhe trajtimit të pacientëve në Klinikën e Pediatrisë, si dhe për pretendimet se një prind është përballur me presion pasi kishte bërë publike përvojën e saj.
Shoqata u uroi shërim të shpejtë fëmijës dhe shprehu solidaritet me familjen, duke theksuar se çdo pacient, veçanërisht fëmijët, kanë të drejtë për kujdes shëndetësor cilësor, të sigurt dhe dinjitoz.
Sipas PRAK-ut, pretendimet për mungesë të kushteve elementare higjieno-sanitare, kontroll të pamjaftueshëm të infeksioneve, mungesë të mjeteve bazike higjienike dhe probleme në komunikimin me familjarët nuk duhet të konsiderohen çështje dytësore.
“Këto nuk janë kërkesa për luks, por standarde minimale që çdo institucion shëndetësor është i obliguar t’i garantojë,” thuhet në reagim.
PRAK e konsideron po aq shqetësues edhe pretendimin për ushtrim presioni ndaj nënës së pacientit pas publikimit të ankesave.
“Çdo pacient dhe familjar ka të drejtë të raportojë parregullsitë dhe të kërkojë llogaridhënie pa frikë nga presioni apo intimidimi. Transparenca dhe zëri i pacientëve janë thelbësorë për përmirësimin e sistemit shëndetësor,” thekson PRAK.
Në reagim theksohet gjithashtu se mbrojtja e të drejtave të pacientëve nuk duhet të interpretohet si sulm ndaj profesionistëve shëndetësorë.
“Shumica e tyre punojnë me profesionalizëm dhe përkushtim në kushte të vështira. Mangësitë e evidentuara duhet të trajtohen si probleme institucionale dhe sistemore,” thuhet më tej.
PRAK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente pretendimet e ngritura, të informojnë publikun për gjetjet dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve dhe standardeve të sigurisë së pacientëve.
Shoqata ka kërkuar gjithashtu forcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, funksionalizimin efektiv të komisioneve për trajtimin e ankesave dhe garantimin që asnjë pacient apo familjar të mos përballet me presion për shkak të ushtrimit të së drejtës për t’u ankuar.
Sipas PRAK-ut, rasti në Klinikën e Pediatrisë duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjithë sistemin shëndetësor.
“Përmirësimi i cilësisë së kujdesit nuk arrihet duke heshtur kritikën, por duke dëgjuar pacientët, duke reflektuar mbi shqetësimet e tyre dhe duke ndërmarrë masa konkrete,” përfundon reagimi.
PRAK bëri të ditur se do të vazhdojë të monitorojë këtë dhe rastet e tjera të ngjashme, duke avokuar për një sistem shëndetësor publik më të sigurt, më transparent dhe më dinjitoz.



