Rritja e temperaturave gjatë natës, e nxitur nga ndryshimet klimatike, po ndikon gjithnjë e më shumë në cilësinë e gjumit.
Një analizë e re tregon se mesatarisht njerëzit humbin rreth 56 orë gjumë në vit për shkak të netëve të nxehta, ose sa afro shtatë net gjumë.
Analiza, e publikuar nga organizata Climate Central, përfshiu më shumë se 1,300 qytete në mbarë botën dhe shqyrtoi ndikimin e temperaturave të larta gjatë natës në periudhën 2020–2025.
Sipas studiuesve, netët tropikale, kur temperatura nuk zbret nën 20 gradë Celsius, janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit.
Rezultatet tregojnë se në pothuajse të gjitha qytetet e analizuara, humbja e gjumit e lidhur me ndryshimet klimatike është të paktën dyfishuar krahasuar me fillimin e viteve 1970.
Rajonet më të prekura janë Lindja e Mesme dhe Azia Juglindore, ku banorët humbin mesatarisht nga 55 deri në 91 orë gjumë në vit për shkak të temperaturave të larta gjatë natës.
Edhe Evropa Jugore është ndër zonat më të prekura. Në Napoli të Italisë, banorët humbën mesatarisht 51 orë gjumë në vit gjatë pesë viteve të fundit. Në Athinë humbja ishte 45 orë, në Valencia 42 orë, ndërsa në Lisbonë dhe Marsejë rreth 40 orë në vit.
Edhe vendet veriore të Evropës nuk kanë mbetur të paprekura. Banorët e Edinburgut humbën mesatarisht 21 orë gjumë në vit, ndërsa në Stokholm dhe Helsinki rreth 20 orë. Ndikimi më i ulët u regjistrua në Oslo, me 18 orë gjumë të humbura në vit.
Studiuesit theksojnë se gjumi është thelbësor për rikuperimin e organizmit. Kur temperaturat mbeten të larta edhe gjatë natës, trupi nuk arrin të ftohet dhe të rigjenerohet siç duhet.
Mungesa e gjumit lidhet me përkeqësimin e humorit, uljen e përqendrimit dhe performancës njohëse, produktivitet më të ulët, si dhe me rritjen e rrezikut për probleme kardiovaskulare dhe dobësim të sistemit imunitar.
Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi mund të jetë edhe më i madh te personat mbi 65 vjeç, gratë dhe njerëzit që jetojnë në vende me të ardhura më të ulëta, ndërsa me rritjen e mëtejshme të temperaturave pritet që humbja e gjumit të bëhet një problem gjithnjë e më i madh për shëndetin publik.


