Një analizë e thjeshtë gjaku mund të ndihmojë në identifikimin e personave që kanë rrezik të lartë për të zhvilluar dëmtime njohëse të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit deri në një dekadë para shfaqjes së simptomave, sugjeron një studim i ri ndërkombëtar.
Studimi, i udhëhequr nga studiues të Mass General Brigham Neuroscience Institute dhe i publikuar në revistën JAMA, u prezantua edhe në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit.
Hulumtimi u përqendrua në biomarkerin fosforiluar tau 217 (p-tau217), një proteinë që mund të matet në gjak dhe që lidhet me ndryshimet karakteristike të sëmundjes së Alzheimerit.
Studiuesit analizuan të dhënat e 2,684 të rriturve të moshuar, të cilët në fillim të studimit nuk kishin shenja të dëmtimit njohës. Pjesëmarrësit u ndoqën për vite me radhë për të vlerësuar nëse do të zhvillonin probleme me kujtesën apo funksionet e tjera njohëse.
Rezultatet treguan se personat me nivele shumë të larta të biomarkerit p-tau217 kishin 38 për qind rrezik për të zhvilluar dëmtime njohëse brenda pesë viteve dhe 78 për qind rrezik brenda dhjetë viteve.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky test nuk rekomandohet aktualisht për personat që nuk kanë simptoma, pasi ende nuk ekzistojnë trajtime që mund të parandalojnë ose ndryshojnë rrjedhën e sëmundjes tek individët me rrezik të lartë.
“Ende nuk kemi trajtime që ndryshojnë rrjedhën e sëmundjes për njerëzit që mësojnë se janë në rrezik të lartë për të zhvilluar dëmtime njohëse për shkak të Alzheimerit. Për këtë arsye, aktualisht nuk rekomandojmë analizat e gjakut për personat pa simptoma. Këshillat tona mbeten të njëjta: të ushtrohen rregullisht, të ushqehen shëndetshëm, të flenë mjaftueshëm dhe të kujdesen për mirëqenien e përgjithshme”, tha neurologia Dr. Reisa Sperling, autore e studimit.
Sipas saj, kjo situatë mund të ndryshojë në të ardhmen nëse studimet që po testojnë trajtime të reja parandaluese rezultojnë të suksesshme.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se testi ruante aftësinë parashikuese edhe kur merreshin parasysh faktorë të tjerë të njohur të rrezikut për Alzheimerin, si prania e pllakave amiloide në tru apo predispozita gjenetike.
Autorja kryesore e studimit, Dr. Rachel Buckley, tha se rezultatet përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt parashikimit individual të rrezikut për zhvillimin e dëmtimeve njohëse.
Megjithatë, ekipi thekson se nevojiten studime më të mëdha dhe me popullata më të ndryshme për të konfirmuar saktësinë e testit dhe për të përcaktuar se si ai mund të përdoret në praktikën klinike.
Sipas studiuesve, në të ardhmen analiza e biomarkerit p-tau217 mund të ndihmojë në identifikimin e personave që do të përfitonin nga trajtimet parandaluese dhe në marrjen e vendimeve më të hershme për monitorimin e sëmundjes.


