Ekspozimi ndaj temperaturave të larta gjatë shtatzënisë dhe muajve të parë pas lindjes mund të lidhet me ndryshime në zhvillimin e trurit të fëmijëve, sipas një studimi të ri.
Hulumtuesit kanë gjetur se nxehtësia ekstreme mund të ndikojë në rritjen e një pjese të rëndësishme të trurit, e cila lidhet me përpunimin e informacionit, gjumin dhe nivelin e vigjilencës.
Studimi, i realizuar nga studiues të Institutit të Shëndetit Global në Barcelonë, ka analizuar të dhënat e 3 mijë e 251 fëmijëve në Holandë, të cilët janë ndjekur për një periudhë afatgjatë nga periudha e shtatzënisë deri në moshën madhore.
Studiuesit kanë analizuar temperaturat me të cilat janë përballur nënat gjatë shtatzënisë dhe fëmijët gjatë viteve të para të jetës, duke i krahasuar ato me ndryshimet e vërejtura në zhvillimin e trurit përmes imazherisë me rezonancë magnetike (MRI).
Rezultatet kanë treguar se ekspozimi ndaj nxehtësisë gjatë periudhës së shtatzënisë dhe foshnjërisë lidhej me rritje më të ngadaltë të talamusit, një strukturë e trurit që luan rol në transmetimin e informacionit nervor dhe rregullimin e funksioneve si gjumi, vetëdija dhe përqendrimi.
“Studimet e ardhshme duhet të hetojnë nëse ekspozimi ndaj nxehtësisë në fillimet e jetës kontribuon në çrregullime të zhvillimit neurologjik dhe nëse ndryshimet në zhvillimin e talamusit mund të shpjegojnë këto lidhje”, ka thënë bashkautorja e studimit, Esmée Essers.
Sipas studiuesve, talamusi mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm ndaj temperaturave të larta sepse zhvillohet në fazat e hershme të shtatzënisë dhe kërkon furnizim të madh me gjak.
Hulumtuesit kanë sugjeruar se temperaturat e larta mund të ndikojnë në qarkullimin e gjakut drejt placentës dhe fetusit, ndërsa mund të rrisin edhe hormonet e stresit tek nëna.
Një tjetër faktor i mundshëm, sipas tyre, është ndikimi i nxehtësisë në serotoninën, një substancë kimike në tru që ndihmon në krijimin e lidhjeve ndërmjet talamusit dhe pjesëve të tjera të trurit.
Studimi ka gjetur se ekspozimi ndaj temperaturave mesatare mujore rreth 20.5 gradë Celsius gjatë periudhës së shtatzënisë dhe foshnjërisë lidhej me zhvillim më të ngadalshëm të talamusit në vitet pasuese, krahasuar me fëmijët që ishin ekspozuar ndaj temperaturave më të ulëta.
Megjithatë, studiuesit nuk gjetën lidhje të drejtpërdrejtë mes këtyre ndryshimeve në tru dhe aftësive njohëse të fëmijëve.
Ata kanë theksuar se rritja e temperaturave globale dhe valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit mund të paraqesin sfida të reja për shëndetin publik, veçanërisht për gratë shtatzëna dhe foshnjat.
“Me rritjen e vazhdueshme të temperaturave globale, reduktimi i ekspozimit ndaj nxehtësisë gjatë shtatzënisë dhe foshnjërisë së hershme mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e zhvillimit të trurit të fëmijëve”, ka deklaruar Mònica Guxens, koordinatore e studimit./Gazeta Shneta/


