Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar një fushatë informuese me këshilla për mbrojtjen nga temperaturat e larta, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me vapë, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Sipas IKSHPK-së, qytetarët duhet të shmangin daljet jashtë dhe aktivitetet fizike të rënda gjatë periudhës më të nxehtë të ditës, nga ora 11:00 deri në 17:00, pasi temperatura e perceptuar në diell mund të jetë 10 deri në 15 gradë Celsius më e lartë se ajo e matur në hije.
Instituti rekomandon që qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të freskëta, duke kaluar 2 deri në 3 orë në ditë në vende me temperaturë më të ulët. Po ashtu, kërkohet që të ndiqen njoftimet dhe paralajmërimet zyrtare lidhur me valët e të nxehtit.
Në udhëzimet e publikuara, IKSHPK këshillon që të konsumohet sa më shumë ujë, edhe nëse nuk ndjehet etje, të vishen rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, si dhe të shmanget konsumimi i alkoolit dhe pijeve me përmbajtje të lartë sheqeri.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe mbrojtjes së grupeve më të rrezikuara.
Instituti u bën thirrje qytetarëve të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa thekson se fëmijët dhe kafshët shtëpiake nuk duhet të lihen asnjëherë në automjete të mbyllura, pasi temperaturat brenda tyre mund të rriten shpejt dhe të paraqesin rrezik serioz për jetën.
IKSHPK gjithashtu ka renditur shenjat kryesore të goditjes nga nxehtësia, të cilat përfshijnë lodhjen, dhimbjen e kokës, marramendjen, të përzierat, lëkurën e skuqur dhe rritjen e ritmit të frymëmarrjes. Në rast se shfaqen këto simptoma, qytetarët duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë.



