Vajza 23-vjeçare nga Lushnja, që humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident automobilistik ishte studente e vitit të pestë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
Viktima është Jonisa Toromani dhe ishte pasagjere në sediljen e parë të makinës që doli nga rruga, si pasojë e lagështirës dhe shpejtësisë.
Ajo po udhëtonte bashkë me të motrën në drejtim të Lushnjës, ndërsa automjeti drejtohej nga një shoku i tyre nga Elbasani. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ngjarja ndodhi në rrugën Kavajë–Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit te vendi i njohur si “Bishti i Zhurit”. Automjeti tip “Mercedes Benz”, që drejtohet nga 25vjeçari Alvi Rrasa, ka dalë nga rruga dhe si rrjedhojë është batuar, duke sjellë vdekjen e studentes Toromani dhe plagosjen e motrës së saj e drejtuesit.
Dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës dhe sipas Policisë, e kanë kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa fatkeqësisht, 23vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shumta që ka marrë si pasojë e përplasjes së fortë.
Vajza që humbi jetën të mërkurën në një aksident automobilistik në Kavajë, ishte një nga studentet më të spikatura në Universitetin e Mjekësisë. Madje që prej gjimnazit ajo spikati me përgatitjet e saj, duke përfaqësuar Lushnjën në disa olimpiada në shkallë kombëtare, ku u shpall edhe fituese, shkruan Panorama.