Me ftesë të presidentit Hashim Thaçi, Vincezo Paglio, arqipeshkv nga kisha katolike në Itali, President i Akademisë Papnore për Jetën, i cili kishte kontribuar edhe para dhe gjatë luftës në Kosovë, i shoqëruar nga Ambasadorja Bukurije Gjonbalaj dhe zyrtarë të tjerë institucional të Kosovës, sot ka vizituar Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai shprehu interesimin e tij për të ndihmuar fëmijët e sëmurë nga kanceri dhe leukemia e që momentalisht trajtohen në këtë klinikë.
Vincezo Paglio, premtoi se së do të angazhohet për nisjen e bashkëpunimit ndërmjet spitaleve të vendit të tij dhe Kosovës, poashtu, do shtrijë ndikimin edhe tek donatorët dhe Ministria e Shëndetësisë së Italisë. Ai kërkoi një listë të kërkesave nga Klinika e Pediatrisë në mënyrë që të njëjtën ta nisë tek shteti i tij dhe të përkrahet klinika e Pediatrisë.
Në këtë takim, drejtori i SHSKUK-së Curr Gjocaj, ka thënë Paglia ka kontribuuar për Kosovën edhe në ditë më të vështira para, gjatë dhe pas luftës. Në takim Gjocaj, kërkoj përkrahjen e Vatikanit për SHSKUK, në këtë rast për fëmijët e sëmurë nga kanceri dhe leukemia, por edhe në fusha të tjera me rëndësi të veçantë për shëndetësinë e Kosovës.
Izet Sadiku, zëvendësministër i Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë takim theksoi bashkëpunimet e deritanishme që kanë pasur me shtetin e Italisë në fushën e shëndetësisë, duke cekur sidomos fushën e kardiokirurgjisë së fëmijëve, por edhe ndihma të tjera në trajtimin e fëmijëve me leukemi dhe lëmi tjera.
Ai theksoi se janë duke pritur konfirmimin nga Ministrja e re e shëndetësisë së Italisë që të nënshkruhet një marrëveshje e re e bashkëpunimit me qëllim të përkrahjes së mëtejme nga shteti i Italisë për Kosovën.
Metush Disha, kryesues i Bordit në detyrë të SHSKUK-së, theksoi se kjo vizitë është e mirëseardhur sidomos kur kihet parasysh fakti se një shqiptare është shenjtëruar nga Papa, në këtë rast Shën Tereza dhe se ndihma është e mirëseardhur për shëndetësinë e Kosovës.
Dr. Violeta Grajqevci, shefe e Repartit të Hemato- Onkologjisë, tregoj disa nga bashkëpunimet me shtetin e Italisë duke kërkuar që të përkrahen sidomos në trajtimet e stafit, por edhe në produkte dhe medikamente që ndonjëherë mungojnë. Poashtu, ajo kërkoi përkrahje në diagnostikim të fëmijëve me leukemi dhe kancer.
Delegacioni vizitoi edhe repartin e Hemato- Onkologjisë, ku u njoh me kushtet dhe me mënyrën e trajtimit të fëmijëve.