Disa persona të paautorizuar mëngjesin e sotëm kanë hyrë në zyrat e QKUK-së në të cilat ndodhet administrata e QKUK-së.
Zyrtarët e QKUK-së pas marrjes së lajmit kanë njoftuar ekipet e hetuesisë. Me anë të një njoftimi për medie, zyra e informimit në QKUK shpjegon se nuk e di se kush janë personat apo nëse është marrë ndonjë dokument nga aty.
Lidhur me këtë çështje, QKUK-ja thotë se po i pret rezultatet e hetuesisë.
Komunikata e plotë:
Zyra për medie e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, njofton se drejtoria e përgjithshme e SHSKUK, në mëngjesin e sotëm, ka pranuar një informatë se në një pjesë të zyrave ku ndodhet administrata e QKUK, ka dyshime për hyrje të pa autorizuar të personave.
Menjëherë pas kësaj informate, QKUK ka informuar organet kompetente, Policinë e Kosovës lidhur me këtë rast.
Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer ekzaminimin lidhur me rastin.
QKUK, është duke pritur rezultatet e hulumtimit të Policisë së Kosovës, e cila është kompetente për hulumtim të rasteve të tilla.
Përderisa pasi të kryej punën Policia e Kosovës, QKUK do të formoj një komisioni i cili do të bëjë regjistrimin e dokumentacionit dhe zyrave në përgjithësi.