Në një takim të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, me rastin e fillimit të Javës së Imunizimit, është thënë se fëmijët e komuniteteve RAE janë të vaksinuar vetëm 1 në 3
Ministri Imet Rrahmani e ka quajtur programin e imunizimit, si një nga sukseset e sektorit të shëndetësisë në vend.
“Imunizmi zvogëlon sëmundjet dhe vdekshmërinë. Kjo patjetër që reflekton edhe në aspektin ekonomik dhe emocional të qytetarëve. Kosova ka qenë e suksesshme me këtë program”, ka thënë Rrahmani.
Ai ka shtuar se po punohet që të përfshihen më shumë edhe komunitetet RAE.
“MSH do të vazhdojë të ketë prioritet programin e vaksinimit. Ky program duhet të ketë vazhdimësi sepse është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ministri.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, ka thënë se java e imunizimit është e rëndësishme për të vetëdijesuar qytetarët për rëndësinë e vaksinimit.
“79 për qind e fëmijëve 24 deri 36 muaj janë të vaksinuar plotësisht, por tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë në këtë moshë janë vetëm 1 në 3 fëmijë të vaksinuar. Është progres i mirë, por duhet të bëhet ende punë”, ka deklaruar Mugaju.
UNICEF do të vazhdojë përkrahjen për të sjellë vaksina të kualitetit më të mirë dhe me çmimin më të lirë, ka thënë në fund ai.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Naser Ramadani, ka thënë se me Javën e Imunizimit po synohet të vetëdijësohen edhe politikbërësit dhe punëtorët shëndetësor për rëndësinë e vaksinimit.
“Për të zvogëluar shkallën e sëmundshmërisë, është implementuar programi i gjerë i vaksinimit. Përfshirja në shifra është 95 për qind dhe po punohet të përfshihen edhe komunitetet RAE dhe serbët”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka thënë se Kosova sot nuk ka paralizë të fëmijëve dhe situata epidemiologjike ka bërë që të sjellën vaksina të reja për parandalimin e sëmundjeve.
Përfaqësuesja e Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Dr. Ardita Tahirukaj, ka thënë se imunizimi është i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, për një rajon pa sëmundje.
“Vaksinat e dhëna sipas kalendarit, ofrojnë mbrojtjen më të mirë të mundur për fëmijët dhe kur kanë nevojë më së shumti dhe pengojnë përhapjen e sëmundjeve. Vaksinimi nuk është vetëm për fëmijët, por edhe për adoleshentët dhe të rriturit pasi disa vaksina humbin efektin mbrojtës me kalimin e kohës”, ka deklaruar Tahirukaj. /Gazeta Shneta/