Është hera e tretë që Ministria e Shëndetësisë nënshkruan kontratën për ndërtimin e Spitalit në Ferizaj.
Kësaj radhe, tenderi mbi 10 milionë euro i është dhënë kompanisë NNP “Arberia Com”, raporton Gazeta Shneta.
Për ndërtimin e këtij spitali kanë konkurruar 20 kompani të ndryshme nga Kosova.
Projekti për ndërtimin e spitalit pritet të zgjasë 3 vite dhe vlera totale e tij është 10,235,587.105 Euro.
Spitali sipas projektit pritet të ketë 250 shtretër. Vitin e parë do të investohen 20 për qind e shumës totale, ndërsa nga 40 për qind në dy vitet pasuese.
Sipas dokumentit të publikuar në KRPP, vlera e parashikuar e këtij projekti ka qenë 10,235,587.105 Euro, ndërsa kriteri për dhënien e tenderit ka qenë çmimi më i ulët.
Data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës është më 3 gusht.
MSH-ja dy herë është detyruar ta anulojë këtë projekt për shkak të paqartësive të krijuara gjatë dhënies së kontratave.
Herën e parë kontrata i ishte dhënë kompanisë “Al Trade”, ndërsa herën e dytë tri kompanive “FAVOR ING” & “AS ING” & “ÇLIRIMI”.
Kujtojmë se Agjencia Kundër Korrupsionit kohë më parë i kishte bërë dy opinione negative për procedurat e prokurimit të ndjekura nga Spitali Regjional i Ferizajt, ku flitej për anën e “errët” të procedurave tenderuese nga ky autoritet kontraktues.
Spitali do të ndërtohet afër Parkut të Lirisë, lokacion ky i caktuar nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt. /Gazeta Shneta/