Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur në një incident që ka ndodhur sot pasdite në Pejë.
Mjekja kujdestare e Spitalit të Pejës, Sahadete Sylqa, tha se dy persona janë pranuar në Emergjencë rreth orës 15:30.
“Pacienti, një burrë i moshuar, ka pasur lëndim të rëndë në kokë me mjete therëse (sëpatë). Ai ka ardhur në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije. Me gjithë përpjekjet e ekipit të mjekëve viktima ka ndërruar jetë“, ka thënë Sylqa.
Ndërsa, për pacientin e dytë ajo ka thënë se ai ka ardhur me një plagë nga arma e zjarrit në pjesën e stomakut.
“Pasi i është bërë CT-ja e stomakut vërehet prania e plumbit dhe pacienti është futur në sallën e operacionit. Për momentin pacienti është jashtë rrezikut për jetë“, tha mjekja Sahadete Sylqa.
Ndërkohë, KALLXO.com merr vesh se viktimat janë babë e bir.
Incidenti ka ndodhur në lagjen “Dardania” të Pejës.
Sipas burimeve të sigurta të KALLXO.com lidhur me këtë rast Policia e ka arrestuar një person.