Kur ishte emëruar si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Kardiologjisë Invazive, Dr. Basri Sejdiu do të përballej me situatën pas njërit prej skandaleve më të mëdha në Kosovë, rastin e njohur si “Stenta”.
Pak vite më vonë, Sejdiu pranon të emërohet edhe në një pozitë tjetër. Atë të Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Por edhe kësaj radhe, ai do të vijë në pozitë pas skandalit të vdekjeve të dyshimta në klinikat e QKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
“Fillimisht nuk kam pranu, por kam marr premtime të mëdha nga ministri dhe Qeveria që gjërat do të avancohen për të mirë sepse është momenti i fundit që gjërat të rregullohen në shëndetësi”, thotë Sejdiu.
Në deklaratën e parë për media, ai tha se do të angazhohet veçanërisht në zhvillimin e kardikirurgjisë dhe kardiologjisë invazive, për të krijuar kushtet që pacientët të mos kërkojnë shërim jashtë institucioneve publike.
“Kardiologjia Invazive në çdo shtet është me rëndësi nacionale për arsye se patologjia e sëmundjeve kardiovaskulare është në përqindje të madhe, rreth 70 përqind të të gjitha sëmundjeve i përkasin sistemit kardiovaskular. Sëmundjet më emergjente janë të kësaj natyre”, deklaron Sejdiu.
Ai thotë se zgjidhja afatgjate e këtyre dy fushave, do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e pacientëve të natyrave të ndryshme, por edhe në uljen e shpenzimeve buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi janë shpenzuar shuma të mëdha në institucione private në Kosovë po edhe jashtë.
“Pasi e rregulluam aparatin me një vetiniciativë, nga 1 shkurti deri më tani janë realizuar rreth 900 koronarografi dhe 650 stentime, që në vlerë monetare i bie rreth 3 milionë euro që në mungesë të aparatit, ish dashtë me pagu në institucione private”, vlerëson Sejdiu.
Ai ka bërë të ditur se aparati i koronarografisë do të hyjë në një servisim specifik, për t’u funksionalizuar për një periudhë më të gjatë.
Sejdiu deklaron se ka marr mbështetje nga ministri Uran Ismaili, për të përfunduar projektin e zgjerimit të sallës për angiografin e ri, i cili është duke qëndruar në Austri pasi punët nuk kanë përfunduar ende.
Salla për angiografin e ri është dashur të kryhet më 15 qershor, ndërsa Ministria e Shëndetësisë është duke paguar 50 mijë euro në muaj për qëndrimin e këtij aparati në Austri.
Sejdiu zotohet se do të shtyjë përpara renovimin e kësaj salle, dhe synon që të shtojë stafin për të punuar 24 orë.
Ai ka deklaruar se gjatë një takimi me ministrin, janë pajtuar që Klinika Infektive të furnizohet me barna dhe material shpenzues në mënyrë emergjente pasi në këtë klinikë po përballen shumë pacientë me sëmundjen e fruthit. /Gazeta Shneta/