Numër i konsiderueshëm i vdekjeve në Kosovë ndodhin nëpër spitalet e vendit, e kryesisht në Qendrën Klinike Universitare, por shumë pak prej viktimave u bëhet autopsia. Kjo për arsye se familjarët nuk dëshirojnë që trupat familjarëve të tyre të “dëmtohen”. Por, para viteve të 90’ta çdo kufome e cila ndërronte jetë në ambientet e spitaleve i bëhej analiza e autopsisë për ta parë shkakun e vdekjes. Deri në 1 mijë të tilla bëheshin çdo vit në QKUK, ndërkohë që për këtë vit kanë qenë vetëm 2 obduksione që janë bërë në Institutin e Patologjisë.
Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti vetëm dy të vdekurve u është kryer obduksioni nga ana e Institutit e Patologjisë në QKUK, ndërkohë që për gjithë vitin e kaluar në këtë Institut janë kryer 14 të tilla. Këtë fakt e ka thënë për Gazetën Express, Drejtori i Instituteve Paraklinike Ramadan Sopa.
Ai tregon se vite më parë asnjë kufomë nuk lejohej që të merrej nga QKUK’ja pa e kryer analizën e obduksionit, kështu që në të kaluarën në Institut kryheshin deri në 1 mijë autopsi në vit.
Sopa thotë se Instituti i Patologjisë, aty ku edhe kryhen autopsitë klinike të kufomave, nuk është në gjendje të mirë, nuk ka kushte adekuate për punë, duke nisur nga laboratorët dhe sallat të cilat nuk i plotësojnë asnjë kriter.
“Kam bërë një kërkese në Mjekësinë Ligjore, edhe kam kërkuar sallën e tyre për shfrytëzim për autopsi. Ata na e kanë huazuar, sepse kemi mungesë të hapësirave. Mjete nuk kemi… i kemi pasur të mira, por ato pas luftës kanë humbur. Duhen sete të veçanta, punojmë me improvizime”, thotë ai.
Në këtë Klinikë madje nuk ka as teknik të veçantë apo ndihmës obducent i cili do të merrej vetëm me trupin e kufomave. Sopa thotë se rolin e ndihmës obducentit për momentin është duke e kryer një teknik i cili nuk ka thirrje profesionale për këtë punë. Drejtori paralajmëron se për këtë çështje do të bëjë kërkesa për kompletimin e stafit në Institutin që ai e udhëheq.
“Është një teknik që e ka vullnetin me na ndihmuar. Nuk është kompensuar asnjëherë. Është në gjeneratë me mua. Do të bëj kërkesa menjëherë pas zgjedhjeve lokale lidhur me këtë çështje. Në konkursin, nëse shpallet, puna do t’i shpjegohet me përpikëri”, shpjegon Sopa.
Drejtori i Instituteve Paraklinike Sopa, gjithashtu. thotë se ligji aktual për autopsi ka mangësi të shumta. Ai thotë se do të iniciojë procedurat për ndryshimin e këtij ligji.
“Ligji për autopsi ka mangësi të shumta, qofte logjike ashtu edhe profesionale. Kam biseduar me kolegë, mendoj ta inicioj procedurën për ta ndryshuar atë ligj. Aty nuk ndahen autopsitë klinike me ato mjeko-ligjore. Ligji duhet të precizohet më shumë”, thotë Sopa.
Ai thekson se duhet të përcaktohet se cilat janë llojet e vdekjeve të cilave medoemos do të duhej t’u kryhet autopsia. Gjithashtu, sipas tij, çdo vdekjeje që ndodh në Klinikë duhet t’i bëhet analiza e obduksioni.
“Nëse një diplomat vjen në Klinikë dhe vdes, autopsia duhet t’i bëhet doemos, nuk lejohet të kalojë pa autopsi, nuk kemi ndihmës obducent i cili do ta kryejë punën. Unë kam kërkesa e kërkesa për këtë punë. Duhet të përcaktohet se cilat janë rastet të cilat doemos duhet ta kryejnë autopsinë. Çdo rast që vdes në klinikë duhet të dërgohet në autopsi. Por tjetër është kjo çështja që pyeten familjarët”, tha Sopa.
Drejtori ka shpjeguar edhe për analizat të cilat kryhen në Institutin e Patologjisë si dhe ato të cilat sillen në këtë institut. Por, thotë ai, as për to nuk ka kushte të mjaftueshme. Ato janë të vendosura në shishe të plastikës si dhe në ato të infuzioneve. Ndërkohë që edhe aparaturat janë të vjetruara dhe të dëmtuara.
“Në Institutin e Patologjisë, kryhen analizat hispopatologjike të të gjitha llojeve të indeve dhe organeve. Çdo ind i cili hiqet dërgohet për ekzaminim. Metodat rutine punohen për çdo ditë. Kushtet nuk janë më të mirat të mundshme, disa janë shumë të vjetërsuara, kemi frikë edhe ti pastrojmë aparaturat se mos o prishen gjatë pastrimit për shkak të vjetërsisë. Bëhen analizat citologjike dhe papatesti”, deklaroi Drejtori i Instituteve Paraklinike, Ramadan Sopa për Gazetën Express.