Qendra e Shërbimit Klinik të Ortoprotetikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka një vit që nuk është furnizuar me material nga i cili punohen mjetet ndihmëse për lehtësim të ecjes së atyre që kanë humbur ndonjë gjymtyrë, ose kanë deformime në trup. Udhëheqësit e Klinikës ka një vit që kanë dorëzuar kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë rreth kësaj problematike. Por MSH-ja ende nuk ka ndarë buxhet për proteza për personat që kanë humbur gjymtyrët në aksidente, luftë apo edhe nga ndonjë sëmundje.
Hyseni, 56 vjeç, ka dy vjet që si pasojë e një sëmundjeje ka humbur gjymtyrën e majtë. Që nga ajo kohë ai e ka të pamundur lëvizjen. 56-vjeçari po kërkon vendosjen e një proteze e cila do t’ia mundësonte të ecë. Për Express, ai ka treguar se kushtet sociale në familje nuk i ka të mira për blerjen e protezës. Sipas tij, një vendosje e gjymtyrës artificiale në ordinancat private në vend kushton prej 3 mijë deri në 10 mijë euro. Thotë se po e pret nga QKUK-ja protezën e cila do t’i vendoset poshtë gjurit të këmbës së majtë.
“Më kanë thanë me pritë për protezë. Kështu po e kam shumë të vështirë që të lëvizë. Ndoshta edhe pesha e rëndë po ma pamundëson ecjen në shtaga. Ndoshta shpejt më gjendet një zgjidhje”, ka thënë 56-vjeçari për Express. Thotë se matjet i janë marrë nga ana e Qendrës së Ortoprotetikës në QKUK.
“Unë realisht nuk e di se kur do të përfundojë kjo çështje. Po pres. Disa herë kam ardhur këtu me pa se kur po pritet të bëhet proteza”, thotë tutje ai.
E shpresat që S. Hysenit t’i vendoset proteza brenda një periudhe të shkurtër kohore nuk janë të mëdha. Kështu të paktën po deklarohen zyrtarë të Ortoprotetikës në QKUK.
Drejtori i Shërbimit të Ortoprotetikës, Lulzim Geci, ka thënë për Express se numri i personave që kërkojnë shërbime në klinikën që ai drejton është i madh. Klinika, sipas tij, ka një vit që është në mungesë të materialit për prodhimin e protezave.
Ai është deklaruar se për këtë punë ka bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, por që, sipas tij, nga ky institucion shëndetësor Qendra Ortoprotetike ende nuk ka marrë mbështetje rreth kësaj çështjeje.
“Numri i atyre që kërkojnë shërbime tek ne është i lartë. Për momentin ne jemi në mungesë të materialit. Kërkesat tona janë në Ministri. Deri para tre muajve ne kemi pasur shtojca ortopedike, mirëpo tash ne jemi në mungesë të atyre. Qe një vit ne jemi në mungesë të materialit. Që nga qershori ne e kemi bërë kërkesën në Ministri, mirëpo ende nuk është realizuar kërkesa jonë. Ne jemi në pritje të realizimit të saj”, ka thënë Geci.
Ai ka treguar se numri i pacientëve që kërkojnë shërbime në Qendrën që ai drejton, brenda një viti shkon deri në 2 mijë e 500 pacientë. Në këtë shifër ai thotë se hyjnë pacientët të cilët kanë nevojë për proteza, këpucë ortopedike, korsetë, si dhe shtojca ortopedike.
Tutje, Geci tregon se Ortoprotetika brenda një viti, në të kaluarën, i ka prodhuar deri në 800 këpucë ortopedike. Lulzim Geci tregon se në mungesë të materialit për prodhimin e këpucëve ortopedike mund të pësojnë pacientët. Kjo ngase mundësitë e deformimit të trupit pa mbështetjen e këpucëve, sipas tij, janë shumë të madha. Nga kjo punë ai thotë se po pësojnë shumë fëmijët kosovarë.
“I kemi disa raste urgjente që duhet t’i përfundojmë, shembull se fëmija mund të ketë deformime. Kujt i premton koha me pritë, duhet pritur. Ne i kemi listat, në momentin që furnizohemi me material ne i thërrasim të gjithë. Të gjitha këto shërbime te ne bëhen falas”, tregon për Express, Geci.
60 pacientë që kanë humbur gjymtyrët gjatë kohës së luftës, në pritje të protezave
E ndërkohë kjo qendër tashmë ka evidentuar rreth 60 persona civilë, të cilët kanë humbur gjymtyrët gjatë kohës së luftës në Kosovë apo edhe pas saj nga minat. Por për asnjërin prej këtyre personave nuk është ofruar zgjidhje.
“Unë shqetësimet e mia lidhur me këtë çështje i kam bartur edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkesat tona janë në Ministri. Jemi në pritje të ndonjë përgjigje. Rreth 60 pacientë janë viktima civile të luftës e secili nga këta kanë nevojë për proteza të gjymtyrëve të poshtme, nën gju dhe mbi gju”, ka thënë Geci.
“Pritjet e këtyre pacientëve janë shumë të dhimbshme, sepse këta janë pacientë të cilët në të shumtën e rasteve janë raste sociale, andaj ata nuk i kanë mundësitë financiare për t’i blerë vetë materialet, andaj ata detyrohen që të presin për një kohë më të gjatë”, thotë ai.
Ndërkaq, edhe pajisjet për prodhim e protezave, këpucëve, në këtë Qendër janë të vjetruara. Geci thotë se po presin që disa pajisje t’i huazojnë nga Qendra e Kompetencës në Ferizaj.
“Sa u përket makinerive i kemi disa, mirëpo këto pajisje janë të vjetërsuara. Jemi në biseda me Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, që të na i huazojnë disa pajisje prej atje. Jemi në biseda, tash po shohim se a do të mundë të përfitojmë diçka nga kjo apo jo”, ka thënë Geci.
Megjithëkëtë, pacientët që kanë nevojë për proteza duhet të presin edhe për një kohë. Drejtori Lulzim Geci thotë se shpreson që Ministria e Shëndetësisë do t’ia sigurojë buxhetin për furnizim me proteza për personat në nevojë. /GazetaaExpress/