Që prej javës së kaluar Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet me mungesë të një lloj anestetiku i cili ka shkaktuar edhe anulimin e disa operacioneve në Kirurgji.
Në QKUK ka mungesë të Fentanyl-it dhe kjo është konfirmuar edhe nga drejtori i Anesteziologjisë, Nehat Baftiu, shkruan Gazeta Shneta.
“Mungesë të Fentanylit kena, por jemi furnizuar nga Spitalet Rajonale dhe jemi gjendur disi”, ka deklaruar Baftiu.
Ai mohon të ketë pasur anulim të operacioneve, por thotë se janë përballur me vështirësi me pacientët të cilëve nuk kanë mundur t’iu kërkojnë që barnat t’i blejnë vet.
“Vet ministri ka thënë se pacientët nuk do të blejnë më barna dhe ne s’kemi të drejt më të kërkojmë nga pacientët që t’i blejnë ato”, ka shtuar Baftiu.
Mungesën e anestetikut e ka konfirmuar edhe drejtori i Urologjisë, Rexhep Kasumaj.
Ai ka thënë se gjatë javës së kaluar kanë pasur ndërprerje të operacioneve në një ditë, për shkak të mungesës së këtij medikamenti.
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, gjatë një vizite në QKUK pati deklaruar se pacientët nuk do të kenë nevojë që t’i blejnë barnat, pasi furnizimi do të jetë i rregullt.
Deri më tani furnizimi me barna nuk është përmirësuar fare, ndërsa po zvarritet edhe nënshkrimi i disa kontratave. /Gazeta Shneta/