Administrata e presidentit Donald Trump ka publikuar një raport 400-faqesh mbi ndërhyrjet mjekësore për ndryshimin e gjinisë te fëmijët dhe adoleshentët, duke paralajmëruar për “rreziqe të konsiderueshme” nga bllokuesit e pubertetit dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Raporti u publikua pa autorë të identifikuar, gjë që është jashtë standardeve shkencore, por u justifikua nga Departamenti i Shëndetësisë si një përpjekje për ruajtjen e integritetit.
Sipas raportit, trajtimet afirmuese të gjinisë mund të sjellin pasoja si infertilitet, dëmtime të dendësisë kockore, çrregullime kardiovaskulare, probleme psikologjike dhe pendim, shkruan MedicalXpress, transmeton Gazeta Shneta.
Por shumë profesionistë të shëndetit e cilësuan raportin si i njëanshëm dhe politik, duke theksuar se kujdesi afirmues është i sigurt dhe i bazuar në prova, sidomos për ata që vuajnë nga disforia gjinore.
Organizata të tilla si American Academy of Pediatrics shprehën shqetësim për përmbajtjen, duke thënë se të dhënat janë keqinterpretuar dhe se raporti nuk përfaqëson të gjithë spektrin e provave shkencore.
Pavarësisht debatit politik, statistikat tregojnë se kujdesi mjekësor afirmues për gjininë te të miturit është shumë i rrallë. Studimet tregojnë se më pak se 0.1% e të miturve të siguruar privatisht kanë marrë bllokues puberteti ose hormone, dhe asnjë fëmijë nën 12 vjeç nuk ka marrë këto trajtime.
Raporti pason një rishikim të ngjashëm në Britani që kërkoi “kujdes të madh” me terapitë hormonale për të rinjtë. Ndërkohë, komunitetet mjekësore dhe organizatat LGBTQ+ theksojnë rëndësinë e aksesit të sigurt dhe të ndjeshëm në kujdesin shëndetësor për personat transgjinorë/Gazeta Shneta/




