Infeksionet bakteriale seksualisht të transmetueshme, përfshirë sifilizin dhe gonorrenë, kanë arritur nivele rekord në Evropë, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Agjencia paralajmëron se rastet janë në rritje të vazhdueshme prej më shumë se një dekade.
Sipas raportit, gjatë vitit 2024 janë regjistruar mbi 106 mijë raste të gonorresë, një rritje prej 303% krahasuar me vitin 2015. Ndërkohë, rastet e sifilizit janë më shumë se dyfishuar, duke arritur në mbi 45 mijë raste. Klamidia mbetet infeksioni seksualisht i transmetueshëm më i raportuar, me mbi 213 mijë raste në Evropë, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
ECDC thekson se gonorrea mund të kalojë pa simptoma, veçanërisht tek gratë, duke çuar në diagnozë të vonuar, komplikime serioze dhe përhapje të vazhdueshme të infeksionit.
Rastet më të larta janë regjistruar tek meshkujt e moshës 25 deri në 34 vjeç, ndërsa më shumë se gjysma e rasteve kanë qenë tek burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra.
Shqetësues mbetet edhe rritja e sifilizit kongjenital, një infeksion që transmetohet nga gruaja shtatzënë tek fetusi gjatë shtatzënisë.
Numri i rasteve pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin 2023. Ekspertët theksojnë se kjo sëmundje është e parandalueshme përmes diagnostikimit dhe trajtimit në kohë.
Sipas specialistëve, rritja e infeksioneve lidhet me uljen e përdorimit të prezervativëve dhe rritjen e numrit të partnerëve seksualë, sidomos tek të rinjtë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shtimi i testimeve dhe përmirësimi i raportimit kanë ndikuar gjithashtu në evidentimin e më shumë rasteve në vendet evropiane. /Gazeta Shneta/




