Në prag të nisjes zyrtare të fushatës parazgjedhore, Bashkimi Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të promovojnë një diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Në reagimin e BE-së kërkohet që subjektet politike të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave, përfshirë edhe përmbajtjet e shpërndara në rrjetet sociale dhe platformat online.
Sipas BE-së, gratë duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në jetën politike në mënyrë të lirë, të sigurt dhe të barabartë, si në hapësirën publike ashtu edhe në atë digjitale.
Bashkimi Evropian theksoi se barazia gjinore, dinjiteti njerëzor dhe demokracia mbeten vlera themelore dhe elemente kyçe për zhvillimin e zgjedhjeve të besueshme dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. /Gazeta Shneta/




