Një studim i ri tregon se ndjekja e udhëzimeve të rekomanduara për aktivitetin fizik mund të ndihmojë në kompensimin e rrezikut të rritur të vdekjes së hershme te personat me diabet tip 2 që kalojnë shumë kohë ulur. Për ata që kanë diabet dhe nuk ushtrohen mjaftueshëm, rreziku për vdekje të hershme nga të gjitha shkaqet është rritur me 73%.
Megjithatë, studimi gjeti se për personat që angazhohen në aktivitet fizik të moderuar deri në të fuqishëm për të paktën 150 minuta çdo javë, ky rrezik i shtuar eliminohet. Përveç ushtrimeve fizike, dieta e shëndetshme dhe kontrolli i niveleve të sheqerit në gjak janë gjithashtu masa kritike për të shmangur vdekjet e hershme te personat me diabet, shkruan Medical News, transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan të dhënat nga National Health and Nutrition Examination Surveys (NHANES) nga viti 2007 deri në 2018, ku përfshiheshin të rritur 20 vjeç e lart në Shtetet e Bashkuara me diagnozë diabeti. Studimi tregoi se ata që nuk ishin aktivë dhe kalonin më shumë se tetë orë në ditë ulur kishin një rrezik të lartë për vdekjen nga të gjitha shkaqet.
Në përfundim, studimi i botuar në Diabetes Care sugjeron që aktiviteti fizik i rekomanduar mund të jetë thelbësor për përmirësimin e jetëgjatësisë te personat me diabet tip 2, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun e vdekjes së hershme./Gazeta Shneta/


