Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Dr. Imri Jashari, po akuzohet për monopolizim të shërbimit të Elektrostimulimit. Madje ai është kritikuar se po i jep më shumë hapësirë djemve të tij. Por këto akuza i ka mohuar Jashari duke sqaruar se në klinikë janë katër ekipe për këtë shërbim, dhe iu jepet mundësia të gjithë specializantëve
Akuza e kritika në drejtim të drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë Dr. Imri Jashari, janë ngritur sërish. Në adresë të Gazetës Shneta është pranuar një ankesë e një specializanti, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ku ka thënë se Jashari e ka monopolizuar shërbimin e elektrostimulimit, dhe po i jep hapësirë vetëm djemve të tij të cilët janë specializantë.
Një akuzë e tillë ndaj Jasharit ishte ngritur edhe vitin e kaluar në një peticion të nënshkruar nga 11 kardiologë. Në këtë peticion thuhej se Jashari e ka lënë shërbimin e Elektrostimulimit pa shef prej gati dy vitesh, në mënyrë që të ketë monopolin për vendosjen e planit operator duke shpërfillur edhe listën e pritjes dhe moslejimin e angazhimit të kuadrove të reja.
Por të gjitha këto akuza e kritika i ka mohuar vet Jashari në një përgjigje për Gazetën Shneta. Ai ka thënë se në këtë shërbim janë të angazhuar gjashtë mjekë në katër ekipe ku në secilën prej tyre janë nga një ose dy specializantë.
“Orari i implantimit deri sot është bërë me radhitje. Të gjitha ekipet kanë numër të intervenimeve përafërsisht të njëjta dhe kjo mund të dëshmohet nga protokolli i punës”, ka deklaruar Jashari.
Madje sipas tij ekipet me nga dy kardiologë janë të krijuara nga vet ata mjekë të cilët po e akuzojnë atë, përkundër se kërkesa e tij kishte qenë që të punojnë të pavarur. Jashari ka thënë se asnjë kardiologut nuk ia ka ndaluar hyrjen në sallë.
Jashari tutje ka sqaruar se specializantët sipas planprogramit specialistik duhet të realizojnë vet nën mbikëqyrje 25 implantime të Pacemekerave, 12 PM të përkohshëm, 15 ICD dhe 5 CRT brenda një muaji.
“Në sallën e Elektrostimulimit hyjnë të gjithë specializantët e interesuar qofshin ata në fillim apo në përfundim të specializimit. Numri i tyre nuk është i vogël dhe nuk janë vetëm djemtë e mi”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka shtuar tutje se iu ka bërë thirrje të gjithë specializantëve të interesuar për t’ua mundësuar hyrjen në sallë.
Jashari në fund ka bërë të ditur se klinika këtë vit është furnizuar me ‘devica’ dhe lista elektive për implantim të Pacemekereve është përfunduar javën e kaluar. “Tani jemi në procesin e implantimit të ‘devicave’ tjera si ICD dhe CRT”, ka deklaruar Jashari. /Gazeta Shneta/