Orhan Gafurri, oftamolog në Spitalin Rajonal në Pejë, i akuzuar më parë për marrje të ryshfetit, në rastin e rigjykimit të tij, ka thënë se ka marrë të holla në shumë prej 150 euro, nga Ali Shabanaj, dhëndëri i pacientit, tani të dëmtuarit, Fazli Bajramaj.
Por, të hënën, duke ndryshuar deklaratën në Gjykatën Themelore në Pejë, ka thënë se ato të holla i ka pranuar në emër të shpenzimeve të materialit për operim.
“E pranoj se i kam marrë të hollat, por ato kanë qenë në emër të shpenzimeve të materialit për operim, i cili në atë kohë por edhe tani mungon në spital”, ka thënë i akuzuari, gjatë mbrojtjes së tij.
Prokurorja Sahide Gashi, pasi ka pyetur të akuzuarin, ky i fundit ka deklaruar se rasti i të dëmtuarit Bajramaj, nuk ka qenë operacion urgjent dhe se me ligj, sipas tij, e kanë të ndaluar të marrin të holla nga pacientët.
“Ato të holla i kam marrë nga dhëndëri i pacientit, ngase e kam njohur dhe i njëjti më ka kërku që sa më parë t’ia bëjë babën operacion nga syri”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se edhe herën e parë, kur i dëmtuari Bajramaj, është operuar nga syri i majtë, në spital nuk ka pasur material për operim dhe se operacionin, thotë se ia ka bërë pa asnjë kompensim, duke shtuar se një shërbim të tillë e kishte kryer me shpenzimet e tij personale.
Gafurri ka thënë se në ambulancën e tij private e merr materialin për operim, duke shtuar se ngase atë më parë e blenë me shumicë në Shkup, pasi sipas tij, për shkak të ndjeshmërisë së materialit dhe sterilitetit, nuk mund të blihet në barnatore.
Paraprakisht, në seancën e së hënës, është dëgjuar edhe i dëmtuari Fazli Bajramaj dhe motra kryesore e Spitalit Rajonal në Pejë, repartit të Oftalmologjisë, Remzije Lipa.
Ndërsa, palët janë pajtuar që deklaratat e dëshmitarëve, drejtorit të spitalit, Skender Dreshaj, doktoreshës së oftalmologjisë, Jeta Gacaferi dhe Ali Shabanaj, të lexohen.
I dëmtuari Fazli Bajramaj, ka deklaruar se të hollat i akuzuari Gafurri, i ka marrë nga dhëndëri i tij, Ali Shabanaj, ndërsa rastin e ka paraqitur në polici pas tre muajsh.
“Rastin e kam paraqit pas tre muajve, sepse kam prit se mos po më shërohet syri, por ai nuk është shëru dhe tanimë me syrin e djathtë nuk shoh”, tha i dëmtuari Bajaramaj.
Kurse, dëshmitarja Remzije Lipa, ka deklaruar se është e vërtetë se në atë kohë nuk ka pasur material për operim në spital, por se materiali i cili duhet të blihet nga pacientët iu shkruhet në letër dhe të njëjtit e sigurojnë në barnatore.
“Rreptësishtë e kemi të ndaluar të kërkojmë dhe të marrim të holla nga pacientët, e gjithashtu edhe të fusim material në spital apo të marrim nga spitali”, ka deklaruar ajo.
Pas përfundimit të shqyrtimit të procedimit të provave, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Sahide Gashi ka deklaruar se me të gjitha provat është vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar, se i akuzuari Orhan Gafurri, e ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon akuza.
Ajo nga gjykata ka kërkuar edhe dënimin plotësues,pra ndalimin e ushtrimit të profesionit nga i akuzuari.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Orhan Gafurri, akuzohet se më 2 korrik 2015, rreth orës 09:05, në Spitalin Rajonal, në Pejë, në repartin e syve, si person zyrtar, doktor i oftalmologjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim për vete, në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Sipas aktakuzës, me kusht që ta operojë të dëmtuarin Fazli Bajramaj, nga i njëjti ka kërkuar të holla në shumë prej 150 euro. / Gazeta Shneta