Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën ndërkombëtare të infermierëve i falënderon të gjithë ata për sakrificën e treguar deri më tani.
Kurti, përmes rrjetit të tij social në Facebook ka shkruar se infermieret e infermerët tanë lanë shtëpitë e familjet e tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve me punën e tyre, transmeton Gazeta Shneta.
Postimi i plotë:
Po bëhen 1.500 orë prej momentit të parë që filluan luftën kundër virusit Corona. Infermieret e infermerët tanë janë ata që lanë shtëpitë e familjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish me punën e tyre. Në ditën ndërkombëtare të infermierëve dua t’i falënderoj të gjithë këta. Janë mijëra të tillë, anembanë Kosovës, që për tre muaj sakrifikuan shëndetin e tyre që të shpëtojnë jetët tona.
Ju jemi falënderues i gjithë populli i Kosovës. Ata që janë prekur nga ky virus e kanë të qartë se sa të domosdoshëm jeni, kurse ne të tjerët lutemi e po punojmë që të mos ju nxjerrim më shumë punë. Bashkë do t’ia dalim!