Në Klinikën Alergologjisë dhe Imunologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thonë se brenda ditës janë paraqitur deri në 78 pacientë me simptome të alergjisë, gjë që bën që numri i pacientëve me alergji të shtohet 15 për qind më shumë këtë vit.
Alergologia në Klinikën e Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike, Bardha Selmanaj Bislimi, ka bërë të ditur se këtë vit përveç lotimit të syve, teshtimave, kruarjve të veshëve, kollitjes, alergjitë po manifestohen edhe me asmë bronkiale.
Doktoresha e kësaj klinike thotë se gjatë kësaj periudhe brenda ditës klinikën e Alergologjinë e kanë frekuentuar deri në 80 persona, ku prej tyre 90 për qind kanë rezultuar se kanë probleme me alergji.
Në përgjithësi, më të prekur nga alergjitë sezonale të pranverës janë fëmijët dhe adoleshentët.
Ajo ka këshilluar të gjithë qytetarët e Kosovës që nëse i kanë këto simptome të lartë cekura të drejtohen në institutin B, pranë Klinikës Alergologjisë dhe Imunologjisë për të kryer testin e alergjisë me qëllim që të marrin trajtimin mjekësor me kohë./KosovaPress/