Google DeepMind ka prezantuar AlphaGenome, një mjet të ri të inteligjencës artificiale që mund të lexojë segmente shumë të gjata të ADN-së dhe të parashikojë se si ndryshimet gjenetike mund të ndikojnë në funksionimin e gjeneve dhe zhvillimin e sëmundjeve, përfshirë kancerin.
ADN-ja përbëhet nga miliona kombinime gjenetike dhe edhe ndryshimet më të vogla në këto sekuenca mund të kenë ndikim të madh në organizëm.
AlphaGenome është zhvilluar për të ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si funksionon gjenomi dhe si mutacionet mund të çojnë në sëmundje, shkruan Euronews percjell Gazeta Shneta.
Sipas Google DeepMind, ky model i bazuar në “deep learning” është në gjendje të lexojë deri në një milion “shkronja” të ADN-së me saktësi shumë të lartë, duke analizuar jo vetëm pjesën e vogël të ADN-së që prodhon proteina, por edhe pjesën tjetër që rregullon aktivizimin dhe çaktivizimin e gjeneve. Pikërisht në këto zona, sipas studiuesve, fshihen shumë variante gjenetike të lidhura me sëmundje.
Si shembull praktik, AlphaGenome është testuar në raste të leukemisë akute, ku mutacione të vogla në ADN nuk ndryshojnë vetë proteinën, por ndikojnë në mënyrën se si aktivizohen gjenet. Modeli ka arritur të parashikojë nëse këto ndryshime rrisin aktivitetin e gjeneve të caktuara, duke ndihmuar në kuptimin e mekanizmave të sëmundjes.
Mjeti është aktualisht i disponueshëm falas për komunitetin shkencor për kërkime jo-komerciale dhe nuk është i destinuar për përdorim klinik. Ekspertët thonë se AlphaGenome mund të shërbejë si një “laborator virtual”, duke lejuar testimin e hipotezave para kryerjes së eksperimenteve të kushtueshme.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se efektiviteti i këtij mjeti varet nga cilësia dhe sasia e të dhënave me të cilat trajnohet, duke theksuar nevojën për të dhëna biologjike më të standardizuara për zhvillimin e brezit të ardhshëm të inteligjencës artificiale në gjenetikë./Gazeta Shneta/


