Një analizë e thjeshtë gjaku mund të ndihmojë në identifikimin e personave që kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit vite para shfaqjes së simptomave, sipas një studimi të ri të realizuar nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko (UCSF).
Studiuesit zbuluan se nivelet e dy proteinave të lidhura me Alzheimerin – amiloidi dhe tau – në gjak lidhen me ndryshime të lehta në kujtesë dhe aftësitë e të menduarit tek personat e moshës së mesme që nuk kishin demencë.
Në studim u përfshinë 1.350 persona të moshës 53 deri në 69 vjeç. Rreth 6 për qind e pjesëmarrësve kishin nivele të larta të të dy proteinave. Edhe pse nuk ishin diagnostikuar me demencë, ata shfaqën vështirësi më të mëdha në përpunimin e informacionit, planifikim dhe organizim të aktiviteteve të përditshme.
Pas pesë vitesh, pjesëmarrësit me nivele të larta të këtyre proteinave treguan rënie më të shpejtë të kujtesës verbale dhe shpejtësisë së përpunimit të informacionit.
Autorët e studimit thonë se testi i gjakut mund të ofrojë një mënyrë më të shpejtë dhe më pak të kushtueshme për identifikimin e personave me rrezik të shtuar për Alzheimer, krahasuar me metodat aktuale si rezonanca magnetike (MRI), e cila është më e shtrenjtë dhe jo gjithmonë e qasshme.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se analiza nuk mund të përdoret ende si mjet diagnostikues. Sipas tyre, prania e këtyre proteinave nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person ka Alzheimer, por mund të shërbejë si tregues për rrezik të shtuar.
Studiuesit shtojnë se zbulimi i hershëm mund të jetë i rëndësishëm, pasi një pjesë e faktorëve të rrezikut për demencë mund të ndryshohen përmes stilit të jetesës, përfshirë aktivitetin fizik, ndalimin e duhanit, kujdesin për shëndetin kardiovaskular dhe stimulimin e vazhdueshëm të trurit.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 57 milionë persona në botë jetonin me demencë në vitin 2021, ndërsa çdo vit regjistrohen afro 10 milionë raste të reja.


