Shoqata e Anesteziologëve të Kosovës dhe Klinika e Anestezionit me Mjekim Intensiv, e kanë ngushëlluar familjen për vdekjen e Dr. Bajram Koci.
Koci vdiq sot në moshën 72 vjeçare. Ai punoi si anesteziolog në Klinikën e Anestezionit në QKUK.
Dr. Agreta Gecaj-Gashi dhe Dr. Gazmend Spahija e kanë ngushëlluar familjen për vdekjen e Kocit, ndërsa e kanë vlerësuar lart kontributin e tij.
Më poshtë e gjeni letrën e plotë:
E nderuar Familje Koci,
Të nderuar kolegë të ShAIK dhe KAMI,
Të nderuar profesionistë shëndetësor,
Me dhimbje të thellë, pranuam lajmin se Dr Bajram Koci -Anesteziolog & Reanimator, e humbi betejën e fundit të tij në moshën 72 vjecare.
Dr Bajrami ishte një njeri punëtor, kolegial dhe gjithmonë afër pacientëve për t’iu ndihmuar.
Përmes angazhimeve profesionale dhe menaxheriale dha kontribut të pashoq në edukimin e brezave te rinj.
Kontribut të çmuar dha edhe në themelimin dhe zhvillimin e Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.
E nderuar Familje e Dr Bajram Kocit,
Në emër të Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës dhe në emër të të gjithë stafit të Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, pranoni ngushëllime të sinqerta për humbjen e familjarit tuaj, me të cilën bashkëndjejmë të gjithë ne.
Kujtimi për jetën dhe veprimtarinë e Dr Bajramit, do të jetë i përjetshëm ! Pushoftë në paqe!
Me respekt,
Prof Ass. Dr Agreta Gecaj-Gashi Kryetare e ShAIK
Dr Gazmend Spahija Mr. Sci.
Drejtor i KAMI-QKUK




