Dr. Agreta Gecaj-Gashi ushtron profesionin e anesteziologes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës prej 21 vitesh.
Në një intervistë për Gazetën Shneta ajo rrëfen për sfidat dhe rëndësinë e këtij profesioni delikat, shpesh të heshtur, por jetik.
“Roli i anesteziologut është thelbësor në të tri periudhat operative – para, gjatë dhe pas operacionit,” thotë ajo. “Për të siguruar një anestezion të mirë, duhet t’i sigurojmë pacientit një gjumë të thellë, një amnezi të plotë – pra, që ai të mos mbajë mend asgjë nga ndërhyrja – dhe një relaksim total të trupit. Të gjitha këto janë gjendje të përkohshme, por për t’i arritur ato, nevojitet një art në vete,” u shpreh Dr. Gecaj – Gashi.
Për çdo anesteziolog, rastet më delikate mbeten ato me fëmijë dhe të porsalindur. Ato kërkojnë një përqendrim të jashtëzakonshëm dhe përvojë të lartë profesionale.
“Rastet që zgjasin shumë janë veçanërisht sfiduese. Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj humbjes së gjakut dhe të ruajmë vigjilencën në çdo moment”, shton ajo.
Edhe pse puna e tyre është jetike, anesteziologët shpesh mbeten të panjohur për publikun.
“Pacienti është i pavetëdijshëm gjatë gjithë kohës që është në kontakt me ne. Në momentin që ai vetëdijësohet, ne kemi përfunduar punën dhe jemi larguar. Ky është një nga arsyet pse nuk njihemi sa duhet dhe ndoshta s’kemi bërë as promovimin e nevojshëm për veten tonë,” shprehet Dr. Gecaj-Gashi.
Përkushtimi dhe puna e saj shumëvjeçare janë vlerësuar edhe në nivel ndërkombëtar. Ajo është nderuar me diplomën prestigjioze FESAIC nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve .
“Për mua personalisht kjo është një njohje për gjithë punën që kam bërë ndër vite. Por është edhe një privilegj për Shoqatën tonë që të jemi pjesë e hartës evropiane të anesteziologëve,” thekson ajo.
Pavarësisht përvojës, çdo rast mbetet i veçantë dhe lë gjurmë.
“Ne shpëtojmë shumë jetë, më shumë sesa i humbim. Por për t’u mbrojtur emocionalisht, kam mësuar të mos mbaj mend emrat apo fytyrat e pacientëve. Kjo më ndihmon të krijoj njëfarë distance, sidomos kur kemi pasur raste të njerëzve që i kemi njohur. Më kanë lodhur emocionalisht dhe psikikisht,” rrëfen ajo.
Megjithatë, ajo pranon se nuk është gjithmonë e lehtë të mbetesh objektiv.
“Gjithmonë përpiqem të jem objektive, sepse në profesionin tonë ndonjëherë duhet të marrim vendime brenda sekondave. Dhe kur je subjektiv, kjo mund të të pengojë. Prandaj, distanca emocionale është e domosdoshme për të ruajtur qetësinë dhe profesionalizmin,” përfundon ajo./Gazeta Shneta/
Për më shumë, ndiqni videon më poshtë:




