Ankesa e familjarëve në dy raste të fëmijëve të sëmurë e kanë çuar në suspendim nga Komisioni Disiplinor mjeken pediatre Nakije Baliu në Spitalin e Gjilanit. Baliu ka thënë se iu bë e padrejtë.
Një ankesë nga N.K. qytetar nga Kamenica është deponuar në Ministrinë e Shëndetësisë në gusht të këtij viti. N.K. është gjyshi i pacientes dy vjeçare R.K. e cila kishte nevojë për trajtim mjekësor në repartin e pediatrisë në Spitalin e Gjilanit më datën 25 korrik, për shkak të temperaturës së lartë, shkruan Gazeta Shneta.
Prindërit e kishin dërguar vajzën në këtë spital në mesnatë, por sipas ankesës të cilën e ka siguruar Gazeta, mjekja kujdestare Nakije Baliu kishte refuzuar ta kontrollojë fëmijën pasi nuk kishte udhëzim.
Prindërit ishin kthyer në ambulanten e lagjes Gavran në Gjilan ku kishin marr një udhëzim për t’u rikthyer sërish në repartin e pediatrisë në spital. Sipas ankesës, mjekja Baliu e kishte pyetur nënën e vajzës se si është gjendja e saj dhe e kishte referuar menjëherë për në Emergjencë tek kirurgu ku kishte rezultuar mirë. Më pas ishte referuar për në ORL për skuqje fyti, por mjekët aty kishin rekomanduar hospitalizim të menjëhershëm në pediatri.
Në ORL kishin rekomanduar që vajzës t’i bëhej hemogrami dhe CRP, por sipas ankesës, Dr. Baliu nuk kishte pranuar t’ju jap përshkrimin për këto analiza. Sipas tyre, ajo iu kishte rekomanduar prindërve që analizat t’i bëjnë në një laborator privat ose në ambulantën e Gavranit.
“Jo me tha, nuk te jap udhëzim sepse duhet te shkosh ne ambulante ne Gavran se ndoshta ta i bëjnë këto analiza dhe i bene atje. I thash se te dielën nuk punon laboratori ne Gavran dhe se CRP nuk e bëjnë dot por prapë se prapë me tha se nuk me jep udhëzim. Kërkesa ime ishte qe ta dija se, nuk ka te drejte apo ja ndalon ligji dhënien e udhëzimit te tille dhe ajo u përgjigj se ligji ja lejon por na propozoj qe njëherë te shkojmë ne Gavran ne ambulante e nëse atje nuk i bëjnë, atëherë te kthehemi tek ajo ne Pediatri për me na e dhënë udhëzimin. Qëllimi i saj ishte vetëm e vetëm te na shëtiste me fëmijë te sëmurë ne atë vape te tmerrshme!”, thuhet në ankesën e familjarëve.
Më pas prindërit kishin vendosur që fëmijën ta dërgonin tek një pediatër në sektorin privat. Ata janë ankuar në MSH ndaj Dr. Baliut për mosrespektim dhe mospërmbushje të detyrës zyrtare, për mos trajtim profesional të fëmijës si dhe shkelje e rëndë e Betimit të Hipokratit.
Ndaj Baliut po ashtu janë ankuar edhe familjarë të një fëmije tjetër. B.I. ishte ankuar tek menaxhmenti i Spitalit të Gjilanit ndaj pediatres për moskujdes ndaj fëmijës së tij, si dhe sjellje të pahijshme ndaj tyre.
Pas këtyre ankesave mjekja është përballë me procedurë disiplinore ku është suspenduar nga puna për 6 muaj. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Spitalit të Gjilanit Dr. Arsim Emini. Ai ka thënë se Dr. Nakije Baliu është dërguar në procedurë disiplinore për dy ankesa të dy rasteve të cilat kanë ndodhur pothuajse në kohën e njëjtë.
“Pas përfundimit të procedurave disiplinore në të cilat Dr. Nakije është shpallë fajtore nga komisioni disiplinor janë shqyrtuar edhe ankesat e saj dhe të avokatit të saj dhe komisioni i ankesave ka vërtetuar vendimin e komisionit disiplinor për suspendimin e Dr. Nakije Baliut në kohëzgjatje prej gjashtë muajve me gjysmë page ndalesë”, ka deklaruar Emini.
Baliu pretendon se Komisioni Disiplinor ishte i ndikuar
Gazeta ka kontaktuar edhe me mjeken Nakije Baliu për të kuptuar versionin e saj të kësaj ngjarje. Ajo ka sqaruar rastin e dytë për të cilin babai i fëmijës ka pretenduar se mjekja ka refuzuar ta kontrolloj, ndërsa për ankesën e parë nuk ka kthyer përgjigje.
Baliu ka thënë se e ka pranuar fëmijën në repart, por ka kërkuar nga babai që ta sjellë nënën e fëmijës për të qëndruar në dhomë me të, sepse bashkë me të janë edhe fëmijë të tjerë me nënat e tyre.
“I tregova që fëmija duhet të shtrihet në repart, por mundësisht të vijë nëna e fëmijës, sepse asnjëherë baballarët nuk i pranojmë të qëndrojnë në repart për arsye se një nënë tjetër nuk pranon të qëndrojë në të njëjtën dhomë me një burrë të panjohur”, ka deklaruar Baliu.
Pas këtij rasti Baliu ishte proceduar në Komisionin Disiplinor por kishte refuzuar të shkonte duke kërkuar të dijë arsyen pse është thirrur. “Nuk më kanë tregu dhe e kanë mbajt komisionin pa mua dhe kanë marr vendim të prerë për suspendim 6 muaj”, ka thënë ajo.
Baliu më pas kishte angazhuar një avokate por pretendon se anëtarët e Komisionit në shkallën e dytë ishin jokompetent, një specialist dhe dy infermiere, të cilët sipas saj ishin të ndikuar në vendimin e tyre.
“Pas disa ditësh ia dërgojnë avokates në adresë elektronike vendimin tim për suspendim, duke mos i pritur 14 ditët për vazhdim të ankesës. Vendimi i tillë dhe shkeljet janë bërë edhe më herët në baza gjinore dhe janë tendencioze”, ka deklaruar Baliu. /Gazeta Shneta/