Në Spitalin e Mitrovicës sot është anuluar programi operativ meqë ka pasur mungesë të tretjeve fiziologjike.
Reparti i kirurgjisë në Spitalin e Mitrovicës sot e ka pasur ditën e programit operativ ku kanë qenë të planifikuar pesë pacientë, por ky program nuk është realizuar, shkruan Gazeta Shneta.
Pesë operacionet janë anuluar sepse në këtë spital ka mungesë të tretjeve fiziologjike apo NaCL.
Kështu ka bërë të ditur njëri nga mjekët në këtë spital. Ai ka thënë se kanë sasi të NaCl-së vetëm për raste urgjente.
“Tretje kemi vetëm për raste urgjente. NaCl është e domosdoshme për operacione dhe nuk kemi mjaftueshëm, prandaj jemi detyru me anulu programin. Nesër e kemi një mbledhje urgjente me menaxhmentin dhe do të vendosim për ma tutje”, ka deklaruar ai.
Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga menaxhmenti i spitalit por ud.drejtoresha Laura Nushi nuk ka kthyer përgjigje.
SHSKUK dhe Barnatorja Qendrore kanë deklaruar se janë të furnizuar me NaCl.
“Spitali i Mitrovicës si edhe Spitalet tjera rajonale janë furnizuar me produktin medicinal NaCl 09% 500 ml . Gjithashtu Barnatorja Qendrore e QKUK ka në stok sasi të produktit në fjalë dhe gjatë ditës së nesërme Spitali i Mitrovicës do të furnizohet me sasi shtesë .Për shkak të mungesës edhe në tregun privat të produktit në fjalë, të gjitha njësitë përbërëse të ShSKUK- së kanë racionalizuar kërkesat me qëllim të menaxhimit më të mirë”, kanë deklaruar nga SHSKUK. /Gazeta Shneta/




