Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Mitrovicës që udhëheqet nga Fahri Shabani tashmë njihet për shumë skandale, përfshirë marrëveshjen absurde me laboratorin “Avicena”, blerjen e produkteve me çmim deri 833% më shtrenjtë, lënie të automjeteve në harresë në parkingje private ne qytete jashtë Mitrovicës dhe jo vetëm.
Lexues të Veriu.info kanë dërguar foto nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, ku shihet se aparatet për fikjen e zjarrit në repartin e emergjencës janë me afat të skaduar.
Në fotot e siguruara nga Veriu.info shihet se servisimi i tyre është bërë me 22.08.2023 me garacion prej 6 muajsh, gjegjësisht deri më datë 22.02.2024.
Veriu.info është konsultuar me kompani që merren me mirëmbajtjen e aparateve kundër zjarrit, të cilat kanë treguar se nëse aparati nuk funksionon pas gjashtë muajsh prej datës së servisimit, atëherë kompania e kontraktuar nuk merr përgjegjësi për këtë mos funksionim.
Ndryshe, aparatet për shuarjen e zjarrit janë pajisje për mbrojtje kundër zjarrit që përdoren për të shuar ose vënë nën kontroll zjarret./Veriu.info








