Një studim i fundit, i botuar në MedCom dhe i zhvilluar nga Chuanwen Fan dhe kolegët në Universitetin e Sichuanit, sugjeron se vitamina B12, kur merret në doza të larta, mund të ketë efekte mbrojtëse kundër pankreatitit akut. Kjo mbështetet nga një metaanalizë e të dhënave gjenetike të lidhura me pankreatitin dhe eksperimentet në modele shtazore.
Pankreatiti akut është një gjendje inflamatore e pankreasit që shfaqet papritur dhe mund të jetë nga e lehtë deri te e rëndë. Zakonisht prek njerëzit e moshës 40-80 vjeç dhe ka shkaqe të ndryshme, duke përfshirë:
- Gurët në tëmth, më shpesh tek gratë.
- Alkoolizmi, më shpesh tek burrat.
Simptoma kryesore është dhimbja e fortë dhe e papritur në stomak, që mund të zgjasë për disa orë ose ditë, duke rrezatuar në shpinë ose në anët e barkut, shkruan Health, transmeton Gazeta Shneta.
Ndërsa shumica e rasteve përmirësohen brenda një jave, forma të rënda të pankreatitit mund të shkaktojnë komplikime serioze, përfshirë vdekjen, me një normë vdekshmërie prej rreth 7% në rastet më të rënda.
Studimi i zhvilluar tregoi disa përfitime kyçe të vitaminës B12 në trajtimin dhe parandalimin e pankreatitit akut:
- Reduktimi i inflamacionit: Vitamina B12 ndikon në përgjigjet proinflamatore, të cilat janë përgjegjëse për ndërlikimet më të rënda të pankreatitit.
- Përmirësimi i prodhimit të energjisë (ATP): Në modelet shtazore, vitamina B12 përmirësoi metabolizmin dhe reduktoi nekrozën e qelizave të pankreasit, duke ndihmuar në shërimin e indeve të dëmtuara.
- Reduktimi i progresionit të sëmundjes: Studimi vërejti një ulje të ndjeshme të ashpërsisë së pankreatitit kur vitamina B12 ishte në nivele më të larta në gjak.
Ky zbulim hap rrugën për trajtime të reja të bazuara në përdorimin e vitaminës B12 për pankreatitin akut, veçanërisht për pacientët që janë në rrezik për zhvillimin e formave të rënda të kësaj sëmundjeje. Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme klinike për të konfirmuar efektet e dozave të larta të vitaminës B12 në njerëz dhe për të përcaktuar udhëzimet e duhura për përdorimin e saj në praktikën mjekësore./ Gazeta Shneta/


