Policia e Kosovës sot e ka arrestuar pronarin e kompanisë “Tribune SHPK”, Jesmir Morina, i cili po dyshohet se e ka keqpërdorur licencen e arkitektes në tenderin e Spitalit të Gjilanit.
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit më datën 22 shtator e ka shpërblyer kompaninë “Tribune SHPK” me tenderin për renovimin dhe meremetimin e objekteve spitalore në vlerë prej 47,058.03 Euro, shkruan Gazeta Shneta.
“Tribune” ishte ofertuesi më i lirë në këtë tender, por rezultoi se nuk ishte më i përgjegjshmi pasi po dyshohet se e ka keqpërdorur licencen e një arkitekteje për të garuar në këtë procedurë.
Pasi ka dal njoftimi për vendimin e Autoritetit Kontraktues, në këtë rast Spitalit të Gjilanit, kompania e dytë më e lirë “Art Projekt” nga Vitia, është ankuar me arsyetimin se “Tribune” ka ofertuar me licencen e një arkitekteje e cila në fakt nuk e kishte dhënë dokumentin për shfrytëzim me vullnetin e saj.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini. Ai ka thënë se në bazë të informacioneve që i ka nga Zyra e Prokurimit, pas ankesës nga njëri prej operatorëve tenderi është pezulluar për shkak të licencës së arkitektes.
“Tenderi i është dhënë fillimisht kompanisë në fjalë, por më pas është anuluar për shkak se është konstatuar se arkitektja nuk ia ka dhënë në shfrytëzim licencën. Më pas e njëjta e ka lajmëruar rastin në Polici, ndërsa kontrata i është dhënë operatorit tjetër më të lirë”, ka deklaruar Emini.
Tanimë tenderi i është dhënë kompanisë “Art Projekt” nga Vitia në vlerë rreth 63 mijë euro.
Gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se është arrestuar pronari i kompanisë “Tribune”.
“Dyshohet se, i dyshuari J.S., si pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, përmes prezantimit të dokumentacionit të rremë, ka arritur që të shpallet fitues në një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan. Me këto veprime, i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale dhe ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndryshe “Tribune SHPK” në platformën Prokurorimi i hapur rezulton se me 10 tender nga viti 2018 deri më 2021 ka fituar nga shteti në vlerë 793,560.07 Euro. Pjesë e këtyre kontratave janë edhe disa punime në Qendrën Klinike Universitare sikurse tenderi për “Ndërrimi i dyerëve në Mjekimin Intenziv në klinikën e Gjinekologjisë, dhe dera rrëshqittëse Brenda objektit tek Administrata Qëndrore” vitin e kaluar në vlerë afër 10 mijë euro.
Kjo kompani poashtu ka fituar edhe një tender tjetër në QKUK në vitin 2019 në vlerë prej 23,785 Euro për “Ndrrimi I dyshemese ne Ortoprotetike dhe Renovimi I bllokut Intenziv ne Neurologji”. /Gazeta Shneta/