Të premten që shkoi, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka kryer obduksionin e tre pacientëve, të cilët kanë vdekur pasi janë operuar në sallat e QKUK-së. Vdekja e tyre është cilësuar si e dyshimtë nga ana e organeve të hetuesisë. Gazeta Express ka folur me Arsim Gërxhaliun e Institutit të Mjekësisë.
Duhet kohë që Instituti i Mjekësisë Ligjore të dalë më rezultatet e analizave të obduksionit të tre trupave të viktimave që ndërruar jetë më datën 7 shtator në Qendrat Klinike të QKUK-së. Kështu ka bërë me dije të martën për Express, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gerxhaliu.
Ai ka shpjeguar se ky Institut ende nuk ka marrë ndonjë vendim për dërgim jashtë vendit të analizave për këta tre pacientë. Thotë se nëse prokuroria kërkon ndonjë detaj shtesë e që ndonjë analizë në vend nuk mund të bëhet për shkak të pajisjeve, atëherë analizat do të mundë të dërgohen jashtë Kosovës.
“… nëse kërkojnë diçka më specifike, me siguri që analizat do të dërgohen jashtë vendit. Analizat ende nuk janë dërguar jashtë vendit. Marrin kohë për t’u ditur rezultatet”, ka thënë Gerxhaliu të martën për Express.
Tutje, ai theksoi se ky rast është specifik, dhe ne në mungesë të kushteve sidomos në laboratorin toksikologjik, ekziston mundësia që këto analiza të dërgohen jashtë Kosovës.
E ndërkohë, varrimi i trupave të tre pacientëve, menjëherë pas vdekjes, ka bërë që të vështirësohet procesi i obduksionit për shkak të dëmtimit të trupave.
Dyshimet e para të organeve të hetuesisë lidhur me këto vdekje kanë të bëjnë me gazin medicinal Oksidull (N20), i prodhuar pa licencë në Kosovë.
Ditë më parë Gazeta Shneta e ka intervistuar pronarin e “Bubeari Komerc”, intervistë të cilën mund ta ndiqni këtu.