Në sallën e muzikës Sundin, ndërsa ora e koncertit afrohet, 68 anëtarët e korit Giving Voice St. Paul hyjnë të kapur prej dore.
Të emocionuar, përqafohen, bisedojnë dhe shtrëngojnë fort dosjet me partiturat. Që prej katër muajsh ushtrohen çdo të martë.
Por ky nuk është një koncert i zakonshëm: shumica e këngëtarëve janë me demencë dhe performojnë së bashku me kujdestarët e tyre dhe të afërm.
“Giving Voice”, organizatë jofitimprurëse e krijuar në 2014 me vetëm 35 anëtarë, tani ka frymëzuar mbi 70 “kore kujtese” në mbarë botën.
Grupi nuk është vetëm një mundësi për të kënduar bashkë, por ai po shihet si një mjet me potencial për të ngadalësuar rënien e aftësive njohëse dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për të prekurit nga sëmundje si Alzheimer.
Në mbarë botën, mbi 55 milionë njerëz jetojnë me demencë, me rreth 10 milion raste të reja çdo vit. Trajtimet janë të pakta dhe shpesh me efekte anësore, ndaj shumë familje kërkojnë mënyra të tjera për të ruajtur lidhjen me të dashurit e tyre dhe për të frenuar përparimin e sëmundjes.
“E nisëm si një aktivitet social dhe muzikor, por shumë shpejt u kuptua që kishte ndikim të fuqishëm te mirëqenia e pjesëmarrësve,” thotë Eyleen Braaten, drejtore ekzekutive e Giving Voice, e cila vetë ka babanë në një nga këto kore. Në vitin e ardhshëm, planifikohet hapja e të paktën 15 korëve të reja.
Ky interes i gjerë ka shtyrë edhe shkencëtarët të hetojnë: A mundet vallë që kënga të riaktivizojë trurin?
Në Çikago, neurologu i sjelljes Borna Bonakdarpour, një muzikant në shpirt dhe studiues në Universitetin Northwestern, po bashkëpunon me korin Good Memories, i përbërë nga njerëz në fazat e hershme të demencës, kujdestarë dhe vullnetarë. Gjatë pandemisë, studiuesit gjurmuan mirëqenien e pjesëmarrësve që ushtronin virtualisht dhe zbuluan se përmirësohej gjendja emocionale dhe mendore.
Së fundmi, në bashkëpunim me Universitetin e Hjustonit, studiuesit përdorën teknologjinë MoBI për të matur në kohë reale aktivitetin e trurit te këngëtarët gjatë provave. Synimi? Të gjurmojnë se si ndryshon truri para dhe pas 15 javëve provë.
Shkenca ka treguar se muzika ka një aftësi të veçantë për të rikthyer kujtime, për të rritur fleksibilitetin e trurit dhe për të ndikuar te emocionet. Këndimi, si proces kompleks që aktivizon dëgjimin, kujtesën dhe shqiptimin, ndihmon veçanërisht në përmirësimin e kujtesës episodike dhe rrjedhshmërisë verbale.
Studiuesit kanë zbuluar se kujtimet muzikore ruhen në zona të ndryshme të trurit nga ato të zakonshmet dhe shpesh mbeten të paprekura nga demenca. Kjo shpjegon pse njerëzit me Alzheimer mund të kujtojnë këngë nga rinia e hershme edhe kur harrojnë emra apo fytyra.
Mjekim social përmes muzikës
Qasja e quajtur “recetë sociale”, që lidh pacientët me aktivitete komunitare si kori, po fiton gjithnjë e më shumë terren. “Truri nuk është një makinë që rregullohet vetëm me ilaçe,” thotë Bonakdarpour. “Nëse muzika ndihmon në kontrollin e simptomave, pse të mos e përdorim?”


