Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka njoftuar sot se Avokati i Popullit ka vërtetuar pretendimet e tyre se institucionet publike shëndetësore duhet të licencohen nga Ministria e Shëndetësisë.
PRAK kishte bërë ankesë në nëntor të vitit 2019 tek AP ku e kishte cilësuar si shkelje ligjore nga MSH për mos licencimin e institucioneve publike, shkruan Gazeta Shneta.
“Si rezultat i mos-licencimit është penguar qasje e pacientëve në shërbimet shëndetësore cilësore dhe të sigurta”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Lidhur me këtë ankesë Avokati i Popullit me datë 04 Tetor 2021 ka nxjerrë Raport në të cilin i rekomandohet Ministria e Shëndetësisë të nxjerrë Udhëzim Administrativ për licencimin e Institucioneve Shëndetësore Publike, pasi që ky është një obligim ligjor.
“Përmes kësaj komunikate PRAK u bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të hartojnë kriteret e licencimit të Institucioneve Shëndetësore dhe t’i përgatisin ato për licencim siç është paraparë në Ligjin për Shëndetësi dhe rekomandimin e Avokatit të Popullit”, thuhet në njoftimin e PRAK. /Gazeta Shneta/