Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në magjistralen Kaçanik-Ferizaj, ku mbetën të vdekur tre të rinj dhe një tjetër u lëndua rëndë.
Policia kishte arritur t’i identifikonte tre viktimat, ndërsa i riu që shpëtoi nuk kishte asnjë dokument identifikimi me vete. Ai ka mbetur i panjohur për Policinë dhe mjekët deri rreth orës 15:00, kur kishte arritur babai i tij në Emergjencën e QKUK-së për ta identifikuar, shkruan Gazeta Shneta.
S.B. rreth 20 vjeçar është identifikuar nga babai i tij në Klinikën Emergjente në QKUK, ku u trajtuar menjëherë pas aksidentit. Tani i riu është vendosur në Mjekimin Intensiv dhe sipas mjekëve ai është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Në aksident ndërruan jetë Flamur Berisha, Enis Ceka dhe Artan Lika. Policia në raportin e saj ka deklaruar se ngasësi i veturës Opel Astra F.B. “duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, ka humbur kontrollin dhe ka dal nga rruga duke u përplasur me disa grumbuj dheu dhe gurësh ku është rrokullisur edhe vetura”.
Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Mjekësinë Ligjore me urdhër të prokurorit, ndërsa njësitet e Policisë janë duke hetuar rastin. /Gazeta Shneta/