Mjekët e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK kanë trajtuar 6 mijë pacientë me probleme në zemër gjatë këtij viti.
Mjekët e Klinikës së Kardiologjisë ose ndryshe ‘Bablokët’ siç i kishte quajtur kolegu i tyre Prof. Gani Bajraktari, kanë trajtuar 6 mijë pacientë me probleme në zemër gjatë këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
“6 mijë pacientë me probleme të ndryshme kardiologjike (të zemrës), janë trajtuar nga 1 janari 2022, deri më tani, në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, prej tyre 921 në kuadër të Njësisë Koronare dhe të tjerët në kuadër të reparteve të tjera të kësaj klinike”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Mjekët e kësaj klinike kanë kryer mbi 12 mijë e 500 vizita ambulantore për pacientët, në shërbime të ndryshme ambulantore.

“Sipas po të njëjtit raport, stafi ka kryer 2 mijë e 680 koronarografi, 1 mijë e 600 raste të stentimit, duke vendosur 2 mijë e 680 stenta. Janë kryer edhe shumë shërbime të tjera kardiologjike në reparte të ndryshme, përfshirë raste elektrofiziologjike”, thuhet në njoftim.
Kardiologu Bajraktari në një reagim ndaj kryeministrit Albin Kurti, kishte thënë se vetëm ‘bablokët’, duke aluduar në mjekët e Kardiologjisë, e bëjnë stentimin e 8 infarkteve akute gjatë një kujdestarie.
“Jo kryeminister jo, veq këta bablokat që i ke këtu t’i bëjnë stentimin e 8 infarkteve akute pa gjumë në sy në nje kujdestari për nje kompensim 50 euro për krejt pasditen dhe naten, deri n kokërr të mengjesit!”, kishte deklaruar Bajraktari në reagimin e tij ndaj Kurtit, i cili i kishte ftuar mjekët nga diaspora që të vijnë të punojnë në QKUK me paga të njëjta sikurse mjekët në Kosovë.
Kujtojmë se shërbimi i kardiologjisë invazive është rikthyer sivjet në Klinikën e Kardiologjisë, ku tashmë po kryejnë procedura të koronarografisë dhe stentimit edhe mjekë të tjerë të kësaj klinike. /Gazeta Shneta/





