Kardiologu Gani Bajraktari ka mbajtur sot ligjëratën e tij me titull “Risitë në Trajtimin e infarktit Akut të Miokardit” në kuadër të Kongresit dhe Panairit Mjekësor të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Pas ligjëratës gjatë diskutimit me publikun, Bajraktari ka folur edhe për numrin e vdekjeve në kardiologjinë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Bajraktari ka përsëritur konstatimin e tij se numri i vdekjeve në kardiologji është rritur për 50 për qind për shkak të ndarjes së klinikës së Kardiologjisë nga klinika e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive.
“Ndarja e klinikës së kardiologjisë ka qenë një nasihat që nuk ka askund në botë. Kjo ka rezultuar me rritjen e vdekshmërisë. Nëse dikush tjetër mundet me gjet një faktor tjetër pse është rrit vdekshmëria, ne do ta diskutojmë, por s’ka asnjë faktor tjetër vetëm se është ndarë klinika dhe vdekshmëria është rrit për 50 për qind. Dhe fakti se askund në botë s’ka kështu, unë mendoj se është gabim”, ka deklaruar Bajraktari.
Biokimisti Bujar Domi ka shtruar në diskutim shqetësimin për raportet jo të mira ndërmjet kardiologëve, duke thënë se pacientët kanë nevojë të trajtohen sipas protokolleve e jo sipas tekeve të kardiologëve.
Kujtojmë se Bajraktari është përjashtuar nga puna në QKUK për shkak të deklaratave të tij në publik për rritjen e vdekshmërisë në kardiologji. Kjo ka bërë që Bajraktari të raportohet në Prokurori nga menaxhmenti i QKUK-së. /Gazeta Shneta/