Gani Bajraktari ka ngritur Kallëzim Penal ndaj Drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë Imri Jashari dhe anëtarëve të Komisionit Disiplinor, pasi u suspendua nga puna për tre muaj. Bajraktari është suspenduar pas akuzës së një familjari ku pretendonte se mjeku e ka referuar babanë e tij për koronarografi në një spital privat
Dr. Gani Bajraktari ka njoftuar sot se ka ushtruar Kallëzim Penal ndaj Drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, Dr. Imri Jasharit, si dhe ndaj anëtarëve të Komisionit Disiplinor të SHSKUK-së, Alban Janova – kryetar, dhe anëtarëve Dr. Faton Hoxha e Dr. Shpend Haxhibeqiri. Kjo padi e Bajraktarit vjen pas suspendimit të tij nga puna pasi u akuzua nga një familjar për referim në një spital privat për babanë e tij.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajraktari thotë se ka siguruar procesverbalin e Komisionit Disiplinor ku sipas tij janë bërë disa shkelje administrative dhe procedurale, si dhe falsifikim të vet procesverbalit, shkruan Gazeta Shneta.
“Deklarata të rreme, fshehje të provave që unë kisha dorëzuar, ndryshim komplet i atyre që kishim folur në seancë, shtrembërimi i deklarimeve, mosofrim për ta firmosur procesverbalin etj, ishin disa nga shkeljet e rënda (të qëllimshme) që arrita të mbajë mend”, ka shkruar kardiologu.
Ai thotë se krejt kjo është bërë për ta ndëshkuar pa asnjë provë të vetme, për çka sipas tij, personat e përfshirë në këtë rast nuk e kanë bërë me dëshirë.
S.S. ka ushtruar ankesë ndaj Bajraktarit gjatë muajit të kaluar duke e akuzuar atë se e ka referuar babanë e tij për koronarografi në një spital privat. Pacienti kishte qëndruar për disa ditë në Kardiologji nën kujdesin e Bajraktarit, i cili në historinë e tij kishte rekomanduar të kryhet koronarografia. S.S. shkruan se mjeku nuk e kishte bërë asnjëherë propozimin për ta kryer koronarografinë në QKUK, edhe pas disa lutjeve që ia kishin bërë si familjarë.
““Pas disa lutjesh nga ana jonë doktor Bajraktari tha: ‘skam çka bëjë më shumë, po e shihni si po shkon këtu puna, hajdeni në spital privat dhe unë ju bëjë një paketë ofertë për koronarografi’ duke përmendur edhe shifra të hollash”, shkruan në ankesë. Familjarët e pacientit kishin këmbëngulur që koronarografia të kryhej në QKUK dhe kjo ishte realizuar më 30 janar të këtij viti. Pacienti ishte diagnostikuar me dy ngushtime të arterieve, njëra 90 për qind dhe tjetra 95 për qind.
Për këtë rast SHSKUK kishte njoftuar edhe Policinë e Kosovës, ndërsa Komisioni Disiplinor e ka suspenduar Bajraktarin për tre muaj nga puna. /Gazeta Shneta/