Gjatë ditës së sotme u publikua një shkrim në mediat ndërkombëtare se Kosova mban vendin e parë për nga numri i vdekjeve në shtatë ditë në proporcion me 1 milion banorë.
Sipas ‘bloomberg’ Kosova me numrin e popullsisë 1.8 milionë banorë, ku rreth gjysma prej tyre janë nën 25-vjeç, ka regjistruar numrin e viktimave 54.2 në proporcion me 1 milion banorë në shtatë ditët e fundit deri më 26 gusht, shkruan Gazeta Shneta.
Por sipas ekspertit kosovar Merkur Beqiri, i cili ka punuar edhe për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Kosova asnjëherë nuk e ka pas vdekshmërinë mbi 50 në 1 milion banorë që nga fillimi i pandemisë.
Beqiri ka nxjerr statistikat që nga data 14 mars e deri më 27 gusht dhe vlera më e lartë e vdekshmërisë ka qenë në dy javët e para të muajit gusht, por megjithatë nuk ka kaluar mbi 50.
“Nëse popullata e Kosovës konsiderohet si 1.81 milion banorë ose 1.739 milion sipas regjistrimit të vitit 2011, atëherë vlera mbi 50 nuk ka qenë asnjëherë. Vetëm nëse do të ishim 1.24 mln banorë atëherë do të arrihej vlera 54.2”, ka deklaruar Beqiri për Gazetën Shneta.
Ai ka thënë se më datën 26 gusht vlera ka qenë 37 ndërsa një ditë më parë kjo vlerë ishte 40. “Është vërtetë e lartë, por jo 54. Është dashur të listohemi në vendin e katërt në këtë listë që është publikuar”, ka thënë Beqiri.
Beqiri ka nxjerrë edhe lakoren e faktorit efektiv R (numri i riprodhimit) në 14 ditët e fundit dhe mesatarja për të gjithë periudhën e pandemisë në Kosovë. Ai ka bërë të ditur se në 11 ditët e fundit R është përafërsisht 1. që do thotë se situata momentalisht është e menaxhueshme. “Nuk po zvogëlohet, por as nuk po rritet. Numri i të infektuarve me vlerën 1 mbetemi aty ku jemi. Ndërsa në dy ditët e fundit kjo ka rënë në 0.85”, ka shpjeguar Beqiri. /Gazeta Shneta/