Ministria e Shëndetësisë i ka kthyer mbrapshtë listat e përgatitura nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar për punëtorët shëndetësorë, përfitues të 300 eurove shtesë gjatë pandemisë.
MSH është arsyetuar se këto lista nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe ka kërkuar nga SHSKUK që t’i rishikojë listat dhe të kategorizohen vetëm ata punëtorë shëndetësorë që kanë punuar direkt me Covid-19, shkruan Gazeta Shneta.
“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të njoftoje se arsyeja e mos pagesës deri më tani e shtesës prej 300 eurove për kategoritë sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 05/18 të datës 29.07. 2020 për punonjësit e SHSKUK-së është se listat e ardhura në MSh nga SHSKUK kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimit të Qeverisë dhe udhëzimet e saj”
“Për këtë arsye, SHSKUK si organizatë buxhetore, i ka kthyer listat që të rishikohen nga menaxherët që njëjtat të jenë konform vendimit të Qeverisë. Përderisa nuk bëhen rishikimet e duhura në këto lista, nuk do të mund të kryhen pagesa. Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtesa mujore në vlerë prej 300 euro ka të bëjë me mjekët, infermierëve dhe teknikëve të cilët janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe me kategoritë e profesionistëve nga institucionet si: IKSHPK-ja, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, Departamenti i Shëndetësisë në Burgje, SHSKUK dhe Spitalet e përgjithshme si njësi të saj si dhe QKMF-të në Komuna”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ministria ka deklaruar se në bazë të vendimit, organizatat buxhetore (të listuara më lart) janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë përmes Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe Zyrtarit Kryesor Financiar të organizatës listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pasi të konstatojë përputhshmërinë me kriteret e vendimit dhe udhëzimet e saj, i dërgon ato lista në Thesarin e Kosovës (Ministri të Financave) për procesim sipas Sistemit të Pagave, përkatësisht për pagesë retroaktive për dy muaj së bashku me pagën mujore të muajit gusht.
Kujtojmë se sindikatat e punëtorëve shëndetësorë kanë kërkuar që në këtë pako të përfshihen të gjithë punëtorët shëndetësorë në Kosovë. /Gazeta Shneta/