Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të hënën planet për të zgjeruar aksesin në produkte kontraceptive, duke përfshirë kontrollin e lindjes pa recetë, vetëm dy javë përpara zgjedhjeve ku të drejtat riprodhuese janë një çështje kyçe.
“Ky veprim i ri do të ndihmonte që miliona gra me sigurim shëndetësor privat të kenë akses në kontracepsionin pa kosto që u nevojitet”, tha Biden në një deklaratë.
Rregulli i propozuar do të zgjeronte mbulimin e kontracepsionit pa kosto për 52 milionë gra të moshës riprodhuese me sigurim shëndetësor privat, tha Shtëpia e Bardhë.
Zëvendëspresidentja dhe kandidatja demokrate për president Kamala Harris e përshkroi propozimin në një deklaratë si “zgjerimin më të madh të mbulimit të kontracepsionit në më shumë se një dekadë”.
Propozimi duhet të kalojë një periudhë 60-ditore të komenteve publike përpara se të finalizohet, shkruan MedicalXpress, transmeton Gazeta Shneta.
Ligji aktual i kujdesit shëndetësor në SHBA kërkon që shumica e planeve të sigurimit të mbulojnë kontracepsionin pa asnjë kosto, por u lejon atyre të kërkojnë një recetë.
Propozimi do të zgjerojë mbulimin e produkteve pa recetë, duke përfshirë kontraceptivët e urgjencës.
Në vazhdën e një vendimi të Gjykatës së Lartë të vitit 2022 që rrëzoi të drejtën kushtetuese për abortin, demokratët e kanë pozicionuar veten si parti e të drejtave riprodhuese, me sondazhet që tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin aksesin ndaj abortit. /Gazeta Shneta/


