Përdorimi i inteligjencës artificiale në shëndetësi po rritet, por besimi i qytetarëve ndaj saj është në rënie. Kështu tregon një sondazh i realizuar nga Ohio State University Wexner Medical Center.
Sipas të dhënave, vetëm 42% e të rriturve janë të hapur që inteligjenca artificiale të përdoret në kujdesin e tyre shëndetësor, krahasuar me 52% në vitin 2024. Po ashtu, edhe besimi se kjo teknologji mund t’i bëjë proceset më efikase ka rënë nga 64% në 55%.
Ekspertët thonë se kjo rënie është pjesë e një procesi normal, pasi njerëzit po kuptojnë më mirë si avantazhet, ashtu edhe kufizimet e teknologjisë.
Sipas Dr. Ravi Tripathi, fillimisht inteligjenca artificiale u pa si një zgjidhje për shumë probleme në shëndetësi, por tani po bëhet më e qartë se ajo nuk mund të zëvendësojë plotësisht mjekët.
Përdorimi i AI pa konsultë me mjekun, shqetësues
Sondazhi nxori në pah edhe një trend shqetësues: 51% e të anketuarve kanë përdorur inteligjencën artificiale për të marrë vendime të rëndësishme shëndetësore pa u konsultuar me një profesionist.
Mjekët paralajmërojnë se kjo mund të jetë e rrezikshme, pasi inteligjenca artificiale nuk është gjithmonë e saktë dhe nuk mund të kuptojë plotësisht historinë individuale të pacientit.
Si po përdoret më së shumti inteligjenca artificiale
Megjithatë, qytetarët vazhdojnë ta përdorin AI për qëllime informuese:
62% për të kuptuar simptomat para se të vendosin të kërkojnë ndihmë mjekësore
44% për të shpjeguar rezultatet e analizave apo diagnozat
25% për të krahasuar trajtimet
20% për t’u përgatitur për vizita mjekësore
Ekspertët rekomandojnë që inteligjenca artificiale të përdoret si një mjet ndihmës dhe jo si zëvendësim i mjekut.
Sipas tyre, kombinimi i teknologjisë me këshillat profesionale mbetet mënyra më e sigurt për marrjen e vendimeve në shëndetësi.


