Pas rënies së numrit të pacientëve të sëmurë me Covid-19, në QKUK është mbyllur njësia intensive qendrore Covid-19.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka njoftuar se në trajtim spitalor nga COVID-19 janë 263 pacientë, 186 prej tyre me oksigjeno-terapi dhe 29 në gjendje të rënduar shëndetëore, në kujdes intensiv mjekësor, shkruan Gazeta Shneta.
Pas rënies së numrit të pacientëve është mbyllur edhe intensiva qendrore e cila ka qenë e dedikuar vetëm për Covid, në hapësirat e njësisë koronare të Kardiologjisë.
“Mjekimi Intensiv Qendror- COVID në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është mbyllur të martën, pas rënies së numrit të pacientëve të prekur me COVID-19. Si rrjedhojë e përmirësimit të situatës, në funksion do të jetë vetëm Intensiva e Klinikës Infektive. Ndërkaq, me përfundimin e dezinfektimit, Njësia Koronare do të kthehet në hapësirat e saj- të cilat, deri tash, ishin në shërbim të Mjekimit Intensiv Qendror-COVID”, thuhet në njoftimin e QKUK-së. /Gazeta Shneta/