Vlerësimet tregojnë se rreth 2.3 milionë gra në mbarë botën diagnostikohen çdo vit me kancer të gjirit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm në vitin 2022 rreth 2.3 milionë gra morën këtë diagnozë.
Aktualisht ekzistojnë disa metoda trajtimi për kancerin e gjirit, përfshirë kirurgjinë, kimioterapinë, radioterapinë, imunoterapinë dhe terapitë e synuara për lloje të caktuara të kësaj sëmundjeje. Megjithatë, jo çdo trajtim është efektiv për çdo paciente, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Suksesi i terapisë varet nga shumë faktorë, si lloji i kancerit të gjirit, stadi i sëmundjes dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore. Kjo e bën të vështirë për mjekët parashikimin e saktë të reagimit të pacienteve ndaj trajtimeve të ndryshme.
Një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore “Clinical Cancer Research”, prezanton një biopsi likuide inovative, e cila mund të ndihmojë në vlerësimin më të shpejtë dhe më të saktë të reagimit të pacienteve me kancer të avancuar të gjirit ndaj terapive të synuara.
Për këtë studim, studiuesit analizuan mostra gjaku nga 167 persona me kancer të avancuar të gjirit, pjesëmarrës në provën klinike plasmaMATCH.
Analiza u fokusua në ADN-në tumorale qarkulluese (ctDNA), fragmente shumë të vogla të ADN-së që çlirohen nga qelizat dhe tumoret kancerogjene dhe gjenden në qarkullimin e gjakut.
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe sipas llojit të kancerit dhe ndryshimeve gjenetike, ndërsa sasia e ctDNA u mat para fillimit të trajtimit dhe katër javë pas nisjes së tij, duke ofruar tregues të hershëm për efektivitetin e terapisë.
Studiuesit konstatuan gjithashtu një lidhje të qartë midis niveleve të ctDNA dhe rezultateve klinike. Për shembull, pacientet tek të cilat ctDNA u bë e pazbulueshme arritën të kontrollojnë sëmundjen për 12 muaj dhe 85.7% reaguan ndaj trajtimit, krahasuar me 4.3 muaj dhe vetëm 11.4% reagim tek ato me ctDNA të zbulueshme.
Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Iseult Browne, këto gjetje mbështesin përdorimin e ctDNA si biomarker jo-invaziv për parashikimin e rezultateve dhe monitorimin e efektivitetit të trajtimit. /Gazeta Shneta/


