Federata e Sindikatave të Shëndetësisë nga sot pritet të bëhet me kryetar të ri.
FSSHK do të mbajë sot kongresin nga ora 10:00 ku pritet të votohen udhëheqësit dhe strukturat e reja të kësaj sindikate, shkruan Gazeta Shneta.
Juristja Tevide Imeri nga QKMF-Ferizaj është kandidatja e cila është përzgjedhur me nënshkrimet e strukturave të FSSHK-së në procesin e udhëhequr nga Jahja Lajqi.
Imeri në një intervistë për Gazetën para disa ditësh ka thënë se është njëra nga themelueset e sindikatës së shëndetësisë pas luftës.
“Unë si anëtare dhe themeluese e sindikatës së pasluftës sē shëndetësisë, jam ndër gratë e para që kam qenë pjesë e këshillit iniciativë për themelim të sindikatës së shëndetësisë në nivel vendi, i njoh mire proceset sindikale dhe mekanizmat e veprimit sindikal. Tash mendoj qe ka ardh një moment që patjetër më duhet ta marr nën udhëheqje FSShK, për plotë arsyeje por në radhë të parë bagazhit tim sindikalist që kam dhe si njohëse e mirë e këtyre çështjeve”, tha ajo.
Në anën tjetër Blerim Syla në një bisedë për Gazetën ka thënë se ky proces është udhëhequr nga një person i cili ka dal në pension dhe sipas tij kjo është në kundërshtim me statutin e FSSHK-së.
“Ju mundeni me verifiku. Ne nuk e kemi dit që ai ka dal në pension sepse e ka mbajtur fshehtë që nga viti i kaluar. Me statut dhe rregullore e kemi të përcaktuar se në momentin që e mbërrin moshën 65-vjeç nuk ka më aktivitet, ka deklaruar Syla.
Ai poashtu ka thënë se shkelja tjetër që ka ndodhur është se i gjithë procesi është zhvilluar pa mbajtur procesverbale. “Krejt këto mbledhje janë mbajtur pa procesverbale dhe qysh ka mundësi me u marr ky vendim sepse bie ndesh me të gjitha ligjet në Kosovë”, ka thënë Syla.
Ai ka thënë se votën për një mandat tjetër në krye të FSSHK-së do ta kërkojë në kongres. “Kongresi vendos për këtë çështje dhe jo disa individë. /Gazeta Shneta/




