Blloku operativ në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale ku përveç kësaj klinike, operacionet kryhen edhe nga Kirurgjia e Fëmijëve, po rrezikon të mbyllet për shkak të infeksionit me Covid-19.
Kjo për faktin se kryeinstrumentarja në këtë njësi M.R. është kontakt i ngushtë i motrës së saj e cila është konfirmuar pozitive që nga dita e hënë dhe po trajtohet në Infektivë me oksigjen, shkruan Gazeta Shneta.
Instrumentarja ka kërkuar të testohet që nga dita e hënë, por nuk i është marr mostra as në Klinikën Infektive e as në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Drejtori i Klinikës Dr. Ferat Sallahu ka deklaruar se nuk po arrijnë të koordinohen me IKSHPK-në dhe nëse vazhdon kjo situatë atëherë rrezikon të mbyllen sallat për shkak të infeksionit.
“Nëse vazhdon kësisoj neglizhimi ndaj stafit në Klinikën e Kirurgjisë ne do të detyrohemi të mbyllim sallat për shkak të infeksionit pasi nuk po arrijmë të koordinojmë punët me IKSHPK-në. Pacientët po presin për operime si raste urgjente e që më pas duhet dërguar në Kujdesin Intensiv, por ne rezultatet nuk i marrim nga një javë. Personeli i dyshimtë nuk testohet dhe telefonat nuk i hapin”, ka deklaruar Sallahu.
Ai ka treguar se i ka dërguar edhe një email drejtorit të IKSHPK-së ku i ka kërkuar që të testohet kryeinstrumentarja pasi e njëjta ka shfaqur edhe shenja klinike të infeksionit, por nuk kanë marr asnjë përgjigje.
Vet kryeinstrumentarja në një deklaratë për Gazetën ka thënë se është rekomanduar nga infektologët për izolim në shtëpi për dy javë. “Unë mund të izolohem, por çka nëse jam infektuar dhe e kam transmetuar tek kolegët tjerë në klinikë dhe pacientët”, ka deklaruar ajo.
Kjo nuk është hera e parë që stafi mjekësor nuk testohen, duke rrezikuar kështu mbylljen e shërbimeve për pacientët. /Gazeta Shneta/