Një studim i ri ka analizuar ndikimin që ka të qenit më aktiv në orët e vona të mbrëmjes dhe të fjeturit vonë në shëndetin e zemrës. Kjo lloj kategorie njihet me termin “bufat e natës”, një shprehje që përdoret për individët që ndihen më energjikë dhe funksionojnë më mirë gjatë natës, në krahasim me mëngjesin.
Autorët e studimit arrijnë në përfundimin se “bufat e natës” kanë një rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare sesa personat që janë më aktivë në mëngjes (të ashtuquajturit “zogjtë të mëngjesit”) ose ata që ndodhen diku në mes të këtyre dy tipeve.
Sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve në botë, ndaj studimi i faktorëve që ndikojnë në to është thelbësor, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ky studim, i publikuar në “Journal of the American Heart Association”, u fokusua te kronotipet, pra ritmi biologjik që përcakton se kur një person është më aktiv gjatë ditës.
Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 14 vitesh, studiuesit zbuluan se “bufat e natës” kishin 16% më shumë gjasa të përjetonin infarkt ose goditje në tru krahasuar me grupin ndërmjetës.
Studimi u mbështet edhe në konceptin “Life’s Essential 8”, të Shoqatës Amerikane të Zemrës, i cili përfshin tetë faktorë kyç për shëndetin e zemrës, përfshirë gjumin e shëndetshëm.
Rezultatet treguan se “bufat e natës” kishin prirje për zakone më pak të shëndetshme dhe çrregullime të ritmit cirkadian, çka lidhet me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës. /Gazeta Shneta/


