Vetëm disa orë aktivitet fizik në javë mund të mbrojnë zemrën, por burrat duhet të ushtrohen dukshëm më shumë se gratë për të arritur të njëjtat përfitime, tregon një studim i ri i botuar në revistën “Nature Cardiovascular Research”.
Sipas studimit, gratë që ushtrohen rreth katër orë në javë e ulin rrezikun e sëmundjes koronare të zemrës me 30 për qind, ndërsa burrat duhet të bëjnë gati nëntë orë aktivitet fizik për të arritur të njëjtin rezultat. Kjo sëmundje shkaktohet nga ngushtimi ose kalcifikimi i enëve të gjakut të zemrës, që redukton furnizimin me oksigjen dhe shkakton probleme kardiovaskulare, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Edhe nivelet e ulëta të aktivitetit sjellin përfitime: rreth 2.5 orë ushtrime të moderuara deri intensive në javë ulin rrezikun me 22 për qind tek gratë dhe 17 për qind tek burrat. Ish-ministri gjerman i shëndetësisë, Karl Lauterbach, e quajti këtë rezultat “të padrejtë” në platformën X.
Studimi vëren se edhe personat me sëmundje të zemrës përfitojnë nga aktiviteti fizik: gratë që ushtrohen 51 minuta në javë kanë më pak rrezik vdekjeje, ndërsa burrat kanë nevojë për 85 minuta për të arritur të njëjtën mbrojtje. Kjo do të thotë se burrat duhet të ushtrohen rreth 1.7 herë më shumë për të përfituar njësoj.
Ekspertët mendojnë se hormonit estrogjen dhe struktura muskulore e qëndrueshme e grave u japin atyre një avantazh biologjik.
Ndërsa burrat kanë më shumë muskuj të ndërtuar për forcë dhe shpejtësi, gratë kanë muskuj të orientuar drejt qëndrueshmërisë, gjë që mund të shpjegojë pse zemra e tyre forcohet me më pak stërvitje. /Gazeta Shneta/


