Komiteti Këshillues për Praktikat e Imunizimit (ACIP) pranë CDC-së ka votuar me shumicë (8 me 3) për të kufizuar përdorimin e vaksinës së kombinuar MMRV (fruthi, shytat, rubeola dhe lia e dhenve) tek fëmijët nën 4 vjeç.
Në vend të saj, rekomandohet përdorimi i vaksinave të ndara MMR dhe varicelë. Vendimi u arsyetua me rrezikun e rrallë të krizave febrile tek fëmijët e vegjël, megjithëse ekspertët theksojnë se këto kriza nuk shkaktojnë pasoja afatgjata.
Ky vendim ka ngjallur kritika nga pediatër dhe drejtues shëndetësorë, të cilët paralajmërojnë se ndryshimet mund të krijojnë konfuzion dhe mosbesim tek prindërit.
Kompania Merck, prodhuese e vaksinës ProQuad, tha se kombinimi i vaksinave ndihmon familjet të përmbushin më lehtë kalendarin e imunizimit.
Komiteti diskutoi edhe vaksinimin e foshnjave kundër hepatitit B, i rekomanduar në SHBA që nga viti 2005 brenda 24 orëve pas lindjes.
Disa anëtarë propozuan shtyrjen e dozës së parë, përveç rasteve kur nëna rezulton pozitive, por shumë ekspertë e kundërshtuan, duke theksuar sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës.
Një votim përfundimtar mbi hepatitin B pritet së shpejti, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se vënia në dyshim e praktikave të konsoliduara të vaksinimit rrezikon të ulë normat e imunizimit dhe të rikthejë sëmundje tashmë të kontrolluara.


